Borisavleviq: Të rinjtë serbë dhe shqiptarë vështirë se do të arrijnë pajtimin – tensionet dhe provokimet e vazhdueshme janë pengesa kryesore

Dušan Borisavljević
Burim: Kosovo Online

Ndërmjet të rinjve serbë dhe shqiptarë në Kosovë vështirë se do të arrihet mirëkuptimi i ndërsjellë, pavarësisht projekteve të shumta që prej dekadash përpiqen të ndërtojnë ura, konsideron Dushan Borisavleviq nga Këshilli Rinor i Komunës së Graçanicës. Për Kosovo online ai shpjegon se pengesat kryesore janë tensionet dhe provokimet e vazhdueshme.

“Nëse do t’i pyesnit të rinjtë se çfarë mendojnë për njëri-tjetrin, të gjithë ata që ndajnë probleme të përbashkëta nuk do të bënin dallime sipas përkatësisë etnike apo fetare. Por, për shkak të zhvillimeve të viteve të fundit në Kosovë, ndjehet njëfarë tensioni, veçanërisht ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe serbë. E kemi parë këtë edhe me provokimet në Graçanicë, sulmet në fshatin Llapllasellë, dhe kjo është diçka që me të vërtetë duhet të ndalojë,” thotë Borisavleviq.

Ai shton se në Kosovë tashmë prej më shumë se dy dekadash realizohen projekte të orientuara drejt pajtimit, por se efekti i tyre mbetet i pasigurt.

“Projektet që lidhen me pajtimin dhe transformimin e konfliktit po zhvillohen tash 25–26 vjet. Sot ka projekte të ndryshme që po zbatohen, por nëse ato projekte kanë sjellë pajtim ose nëse ndonjëherë do të sjellin, nuk mund ta di. Ka projekte në të cilat punojnë së bashku serbë dhe shqiptarë, ku shoqërohen, marrin pjesë në seminare dhe bashkëpunojnë në biznes, por se cili do të jetë ndikimi afatgjatë i atyre projekteve, kjo mbetet për t’u parë,” thekson ai.

I pyetur nëse së bashku me vlerat evropiane, të rinjve në Kosovë u mësohet respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa më e mirë, Borisavleviq përgjigjet se vlerat evropiane nuk janë të përcaktuara qartë për askënd, veçanërisht jo për serbët në Kosovë.

“A janë vlera europiane që nuk ke liri lëvizjeje, që gjuha jote nuk përdoret...Kohët e fundit shohim se vlerat e vërteta janë zhdukur plotësisht dhe se janë kthyer vlerat që ishin në fillim të viteve 2000. Ka tensione, fanatizëm, provokime..., që vërtet nuk është mirë për të rinjtë që duhet të ndërtojnë të ardhmen. Është vërtet e vështirë për të rinjtë serbë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Ai beson se është normale që të rinjtë shqiptarë të kenë serb në mesin e miqve të tyre, por se së fundmi “është bërë shumë e vështirë të pranohet”.

“Kam shkuar në disa punëtori së bashku me shqiptarët, kemi pasur një marrëdhënie vërtet korrekte, por nëse nuk ka diçka që do të na motivojë të shkojmë së bashku në ato klasa, nuk ka mundësi të njihemi. Nuk mendoj se nxënësit e shkollës së mesmekanë ndonjë kontakt. Ata nuk socializohen në shkolla, nuk kanë as nevojë. Ky është një problem serioz”, thekson Borisavleviq.

Sipas tij, kontaktet bëhen më shpesh më vonë, përmes punës në organizata joqeveritare, vullnetarizmit apo zonave të përbashkëta të interesit.

Ai konsideron se përmbajtja e teksteve shkollore, sidomos kur bëhet fjalë për historinë, është një pengesë e rëndësishme për të kapërcyer dallimet mes të rinjve.

“Nëse shikojmë historinë, secila është shkruar ndryshe. Nuk do të kemi kurrë të njëjtën histori dhe as nuk do të mund të biem dakord për të. Nuk besoj se qëllimi përfundimtar është ngritja e tensioneve. Vetëm kur njerëzit piqen mund të kuptojnë se historia jonë është gjithashtu e tyre dhe se nëse ka dy versione, nuk do të thotë domosdoshmërisht se duhet të përputhen. Dhe vetëm kur ta kapërcejnë këtë do të kuptojnë se ne mund të jemi miq në disa gjëra. Por tani për tani, me këtë tension dhe presion mbi popullin serb, nuk mendoj kështu, sepse shumë të rinj detyrohen të largohen nga ky vend dhe kjo shkakton emocione negative tek ata”, thotë Borisavleviq.