Gruaja e Arsiqit: Duhet të ketë pasur ndonjë keqkuptim, ai shoqërohej me serbët e shqiptarët
Zorica Arsiq, gruaja e Zllatko Arsiqit, i cili u arrestua mbrëmë nga policia e Kosovës në pikëkalimin administrativ me Serbinë nën dyshim për krim lufte, pretendon se akuzat ndaj bashkëshortit të saj janë të rreme, duke theksuar se ai kishte marrëdhënie të mira me fqinjët e tij, qofshin ata serbë apo shqiptarë.
Arsiq tha se burri i saj ishte i ri në vitin 1999 dhe nuk ishte pjesëtar i policisë serbe, siç thuhet në akuzë.
“Unë pretendoj se ai nuk ka qenë polic serb në vitin 1999, atëherë ka qenë 19 apo 20 vjeç, pas kësaj ka filluar të punojë në SHPK”, ka thënë Arsiq për Kosovo Online.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka punuar që nga viti 2006 si polic kosovar, derisa është suspenduar dy vite më parë. Ajo shtoi se para se të shërbente në Shërbimin e Sigurisë së Kosovës, Arsiq ka punuar si roje në Kuvendin e Kosovës.
Arsiq ka shtuar gjithashtu se akuzat ndaj burrit të saj nuk janë të vërteta dhe se ai nuk ka keqtrajtuar askënd.
“Është gënjeshtër dhe nuk është e vërtetë se ai ka keqtrajtuar dikë dhe për këtë mund të pyesin kë të duan. Ai ka marrëdhënie të mira edhe me shqiptarët edhe me serbët dhe gjithmonë ka bashkëpunuar mirë me të gjithë”, ka theksuar Arsiq.
Ajo tha se bashkëshorti i saj pas arrestimit është dërguar në Prishtinë dhe se nga mbrëmë nuk dinte asgjë më shumë për të. Sipas saj, policia e Kosovës ka bastisur edhe shtëpinë e tyre.
“Erdhën, e arrestuan dhe e çuan në Prishtinë, gjetën vetëm një pushkë gjuetie për të cilën ka patentë dhe të gjithë e dinë që është gjuetar. Kontrolluan çdo gjë, madje edhe oborret e fqinjëve dhe nuk gjetën gjë tjetër përveç pushkës, por nuk e kishte asgjë”, tha Arsiq.
Kryetarja e Autoritetit të Përkohshëm të Kosovës në Kamenicë, Tanja Aksiq, ka vlerësuar se arrestimi i Zllatko Arsiqit paraqet frikësim të serbëve në Kosovë.
"Për çdo serb në Kamenicë e Kosovës, në Anamorava e Kosovës, kjo paraqet frikësim të serbëve. Z. Arsiq është vetëm 45 vjeç. Ai ka punuar si polic në Policinë e Kosovës për rreth 15 vjet. Ai ka marrëdhënie të mira ndërpersonale me fqinjët shqiptar dhe serb dhe besoj se kjo është një formë tjetër presioni ndaj serbëve që kanë mbetur të jetojnë në këto zona”, tha Aksiq.
Ajo ka treguar se për rastin e Arsiqit është njoftuar mbrëmë, dhe ajo e ka njoftuar menjëherë Zyrën për Kosovë e Metohi.
“Zyra ka ofruar ndihmë juridike për familjen Arsiq. Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet demokratike që zoti Arsiq të kthehet në shtëpi pranë familjes së tij”, tha Aksiq.
Fqinja e familjes Arsiq, Sanja Tasiq, kishte vetëm fjalë lavdëruese për Zllatkon.
"Ai është një njeri punëtor, qoftë bujqësi, ka majmur pula, ka pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët. Asnjëherë nuk ka thënë asgjë të shëmtuar. Ajo që ka ndodhur mbrëmë është e tmerrshme, fëmijët janë mërzitur, kanë qarë", thotë Tasiq.
Babai i Zllatko Arsiqit, Predrag Arsiq, thotë se personi që e ka raportuar e ka ngatërruar djalin e tij me dikë tjetër që e ka kërcënuar me armë dhe ka marrë një kuti cigare.
“Ekziston mundësia që ia ka marrë dikush tjetër, policia ka qenë kudo në atë kohë, por ai ka akuzuar fëmijën tim”, thotë Arsiq.
Zllatko Arsiq, baba i tre fëmijëve, nga fshati Ajnovcë i Kamenicës së Kosovës, është arrestuar mbrëmë nga policia e Kosovës, për shkak se Prokuroria Speciale e akuzon për rrahje dhe ngacmim të lënduarin B.M., në stacionin policor në Kamenicë e Kosovës në mars 1999 dhe se, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paraushtarake, gjoja ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve.
komentet