Lluçiq: Qëllimi i qartë i Kurtit për të vështirësuar jetën e serbëve, pres licencën në Kosovë pas zgjedhjeve
Kryeshefi i Telekom Serbisë, Vlladimir Lluçiq, ka thënë se është optimist për marrjen e licencës për të bërë biznes në Kosovë, por se Telekomi ka probleme me administratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, raporton RTS.
Lluçiq deklaroi se do të marrë licencën 5G në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, si dhe se pret që ky rrjet të zbatohet shumë shpejt në territorin e gjithë Serbisë. Ai po ashtu thekson se Telekomi në Amerikë deri në fund të vitit do të ketë rreth 10 mijë përdorues të televizionit dhe bën të ditur se diaspora do të mund të bëjë thirrje falas pa roaming.
Presidenti Aleksandar Vuçiq një muaj më parë tha se Exim Bank, banka amerikane e eksport-importit, ka marrë vendim dhe do të financojë disa projekte në Telekom në vlerë prej 50 milionë euro.
Vlladimir Lluçiq, i ftuar në programin e mëngjesit të RTS, tha se ardhja e një institucioni të tillë në Serbi është një vendim i rëndësishëm, që do të nënkuptojë financimin e projekteve të tyre, duke bërë të ditur se në vitin 2025 do të marrin edhe licencën për rrjetin 5G.
"Në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të marrim licencën 5G. Duke qenë se kemi financim nga Banka Evropiane e Investimeve, shumë shpejt do të implementojmë 5G në territorin e gjithë Serbisë. Në Mal të Zi kemi mbuluar të gjitha qytete në një vit”, thotë Lluçiq.
Thirrje falas për diasporën
Duke folur për zgjerimin në tregun amerikan, Lluçiq thekson se ata kanë filluar të punojnë në Amerikë dhe se deri në fund të vitit do të kenë rreth 10,000 përdorues të televizionit dhe se në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të kenë edhe një rrjet cellular, si në Gjermani, Zvicër dhe Austri.
“Për të lidhur diasporën tonë, në prill të vitit të ardhshëm do të mundësojmë thirrje falas pa roaming për qytetarët tanë që përdorin rrjetin tonë jashtë vendit”, thekson Lluçiq.
Sipas tij, mbështetja e Uashingtonit dhe Brukselit është e rëndësishme për ta, sepse po zhvillohen në bazë të marrëdhënieve të mira me institucionet financiare nga Evropa Perëndimore dhe platformat e mëdha dixhitale në Amerikë.
“Përkrahja politike nuk është shumë e nevojshme kur flet gjuhën e biznesit, ke një biznes të qëndrueshëm dhe kur shohin, për shembull Vodafone dhe Amazon, që ju jeni një kompani cilësore. Jemi një kompani e madhe që nisëm të zgjerohej dhe hymë në sektorin e medias. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë se çfarë bëjmë në të vërtetë, sepse shteti është pronari ynë i shumicës”, shpjegon Lluçiq.
Problemet me Kurtin
Nga ana tjetër, Lluçiq thotë se situata është ndryshe në territorin e Kosovës, sepse Telekomi ka probleme me administratën e Kurtit.
“E shihni qëllimin e Kurtit për t'ua vështirësuar jetën serbëve në Kosovë dhe Metohi. Megjithatë, jam shumë optimist se do të marrim licencë për të bërë biznes në Kosovë, sepse administrata amerikane na ka ndihmuar shumë kur Kurti donte ta mbyllte Telekomin në Kosovë”, thotë Lluçiq, duke shtuar se nuk presin një vendim për licencën para zgjedhjeve në Kosovë.
Ai tregon se biznesi i Telekomit në Kosovë është i vështirë sepse ka shumë provokime për të marrë reagimin e tyre. "Është një atmosferë mjaft e vështirë. Është obligim që të ofrojmë shërbime të vazhdueshme të telekomunikacionit. Nuk kemi pasur probleme të tilla më parë", thotë Lluçiq.
Duke folur për biznesin këtë vit, Lluçiq thotë se Telekom është kompania e parë në Ballkanin Perëndimor që del në bursë, që pritej, sepse ka një strategji dixhitale.
0 komentet