Në veri gjithmonë e më pak rezerva të produkteve sërbe, çmimet rriten, qytetarët revoltohen

Srpski proizvodi u prodavnicama na severu
Burim: Kosovo Online

Në dyqane në Mitrovicën e Veriut nuk ka produkte sërbe të miellit dhe sheqerit, ndërsa në Lleposaviq rezervat e qumështit dhe produkteve të tij, si dhe pijeve alkoolike nga Sërbia po mbarojnë. Tregtarët nga këto vende kanë thënë për gazetarët e Kosova Onlajn se për shkak të vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të ndalur importin e mallrave sërbe, magazinat po zbrazen ngadalë.

Në vend të miellit sërb, nëpër rafte ka pako nga prodhuesit kosovarë dhe vërehet se ka më shumë artikuj nga Maqedonia e Veriut se më parë.

Në farmacitë private në Lleposaviq mungojnë disa ilaçe Sërbia, kryesisht shurupë për fëmijë.

“Prej një muaji nuk kemi treg të shëndetshëm, konkurrenca e mallrave është e pamundur nëse nuk ke. Qytetarët janë humbësit më të mëdhenj. Nëse ke të holla dhe nëse nuk ka atë që dëshiron të blesh, detyrohen të blejnë atë që u ofrojmë, të cilat zakonisht zëvendësojnë produktet sërbe. Dikur sërbët nga jugu vinin në Mitrovicën e Veriut për të blerë produkte sërbe, kjo flet shumë për besimin dhe cilësinë e mallrave të prodhuara në Sërbi”, thotë për Kosovo Onlajn një tregtar në Mitrovicën e Veriut.

Në një dyqan tjetër të këtij qyteti gjejmë furnizim pak më të mirë, në radhë të parë të produkteve “Imlek”, por edhe këtu na thonë se kjo është tabloja aktuale dhe se malli nëpër magazina është drejt fundit.

“Po furnizohemi nga magazinat tona lokale dhe aty ka gjithnjë e më pak mallra që mund të porosisim. Prej afro dy muajsh nuk mundemi të sigurojmë mallrat që konsumatorët dëshirojnë. Kjo nuk është gjë tjetër veçse të imponosh me forcë atë që dikush do të konsumojë” na thotë pronari i një dyqani në qendër të Mitrovicës së Veriut.

Qytetarët për këtë temë nuk dëshirojnë të flasin para kamerave, por dukshëm janë të revoltuar.  

“Mallrat e cilësisë së ulët kanë zëvendësuar produktet sërbe, e jo vetëm kaq, por çmimet po egërsohen. Gjithçka është shtrenjtuar me 30, 40 madje edhe me 100 dinarë për çdo artikull. Nuk e di sesa do të zgjasë kjo, por shikoj se askush nuk ka ndërmend që të arsyetojë Kurtin. Ndërkohë që të huajt na premtojnë se do të jetojmë mirë, për ne gjithçka po shkon për keq” na thotë zonja, duke na treguar llogarinë.

“Ja shikoni, këtu kremi i qumshtit kushton 300 dinarë. Më i shtrenjti në rajon” shton ajo.

Në Lleposaviq ka ende mallra nëpër rafte, por tregtarët na thonë se magazinat janë gjysmë të zbrazëta. Nuk vijnë as gazetat nga Beogradi.

"Cigaret janë më të shtrenjta se në Sërbi me 20 dinarë për paketë. Vajin mund ta blesh me 165 dinarë për litër, ndërsa diku tjetër kushton deri më 180 dinarë", shprehet banorja e Lleposaviqit dhe shton se populli është i shqetësuar pasi as përmes vendkalimit të Jarinjës nuk mund të sjellësh ushqime.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor mori vendim për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Sërbia në drejtim të Kosovës në të njëjtën ditë kur policia sërbe në territorin e Sërbisë qëndrore arrestoi tre pjestarë të policisë kosovare. Vendimi nuk është ndërmarrë zyrtarisht, por edhe sot zbatohet ndonëse policët kosovarë pas konfirmimit të akuzave, u lanë të lirë nga paraburgimi i Kraljevës më 26 qershor e po në këtë ditë u kthyen në Kosovë.

Sipas sqarimeve të ministrit të punëve të brendshme Xhelal Sveçla, ndalimi është ndërmarrë për "arsye sigurie" dhe do të jetë në fuqi deri në vlerësimin e sigurisë.

"Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importeve të mallrave të prodhuara në Sërbi" ka thënë më herët zëdhënësi i Doganave Adriatik Stavaleci, duke precizuar se janë të detyruar të zbatojnë vendimin e qeverisë.

Ai tha se Dogana në vendkalime në bashkëpunim me policinë zbatojnë këtë vendim.

Në Kosovë fillimisht nuk mundësohej që kamionët me targa sërbe t’u lejohej hyrja pavarësisht prejardhjes së produkteve që transportonin. Më pas ky vendim u ndryshua, kështu që ndalimi i hyrjes në Kosovë vlen vetëm për kamionët që transportojnë mallra me origjinë nga Sërbia.