Shoferët në bllokadë në Rudar: Qëndrojmë derisa Prishtina të tërheqë vendimin për ndalimin e kalimit të kamionëve serbë
Shoferët e kamionit që bllokuan autostradën Nish-Prishtinë në fshatin Rudar, afër Kurshumlisë, dhe nuk lejojnë kalimin e kamionëve me targa të Kosovës, thonë se nuk do të largohen nga ai vend derisa të mundësohet kalimi i kamionëve dhe mallrave serbe në drejtim të kundërt.
Ata thonë se duke qenë se kanë bllokuar rrugën, lejojnë të kalojnë vetëm veturat e pasagjerëve dhe paralajmërojnë se masat mund të radikalizohen nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Shoferi i kamionit Millan Nikolliq tha për Kosovo online se ai dhe kolegët e tij janë në rrugë që nga dje dhe se kjo bllokadë është edhe një formë e mbështetjes për popullin serb në Kosovë.
“Ne jemi këtu që nga ora 18:00 mbrëmë në shenjë proteste kundër bllokimit të kamionëve tanë, mallrave serbe dhe targave serbe. Ne jemi këtu, në një farë mënyre dhe në shenjë mbështetjeje për popullin serb në Kosovë, nuk kemi fjetur tërë natën”, tha Nikolliq.
Ai tha se shoferët kanë arritur të marrin pije, ushqim dhe ujë dhe se presin që të vijnë më shumë njerëz. Qëllimi i tyre, thotë ai, është të mundësojnë kalimin normal të kamionëve nga Serbia.
“Do të qëndrojmë këtu derisa të plotësohen kërkesat tona. Pra të lëshojnë kamionë me targa serbe dhe mallra serbe e të huaja. Aktualisht, automjetet e pasagjerëve kalojnë këtu vetëm me ndalesa të shkurtra, por kamionët, furgonët, autobusët dhe minibusët jo. Nuk kemi pasur asnjë incident apo problem, përveç se populli është i paduruar. Ata nuk janë fajtorë për asgjë dhe as ne. Kam disa kamionë që janë bllokuar që nga e enjtja, pra që nga hyrja në fuqi e vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe dhe veturave me targa serbe”, tha Nikolliq.
Nebojsha Vukadinoviq ka thënë për Kosovo online se shoferët e kamionëve nga Serbia po i përgjigjen vetëm vendimeve të Prishtinës.
“Këto janë kundërmasa, ata nuk i lënë kamionët tanë të kalojnë, as ne nuk i lejojmë atyre të kalojnë”, ka theksuar Vukadinoviq.
Ai thotë se për momentin kalojnë vetëm veturat e pasagjerëve, por ka mundësi që shoferët serbë ta bllokojnë plotësisht qarkullimin.
“Kërkesa jonë është që të lëshohen kamionët me targa të Serbisë dhe më pas normalisht që të gjithë do të dorëzohemi dhe kamionët tanë janë të ngarkuar dhe duke pritur. Nuk ka pasur incidente. Djaloshët që ishin këtu thanë se do të radikalizojnë kërkesat, mund të jetë bllokadë totale”, tha Vukadinoviq.
komentet