Shoqëria civile: Zbatimi rigid i zgjidhjeve të reja ligjore mund të rrezikojë jetën e përditshme të serbëve në Kosovë
Një grup organizatash joqeveritare u ka tërhequr vëmendjen përfaqësuesve të misioneve diplomatike në Kosovë ndaj rreziqeve që zbatimi rigid dhe i papërgatitur në mënyrë adekuate i Ligjit për të huajt dhe i Rregullores për menaxhimin e automjeteve me targa serbe mund të ketë për jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë.
Në njoftimin për media, të nënshkruar nga Nisma e Re Shoqërore (NSI), Qendra për Aksione Shoqërore Afirmative (CASA), OJQ Aktiv dhe Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), thuhet se të mërkurën, më 21 janar, ata kanë mbajtur një takim konsultativ me përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë lidhur me paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për fillimin e zbatimit të kornizës së re ligjore.
“Gjatë takimit, përfaqësuesve të komunitetit diplomatik ndërkombëtar u është tërhequr vëmendja ndaj rreziqeve që zbatimi rigid dhe i papërgatitur në mënyrë adekuate i kësaj kornize ligjore mund të ketë për jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, përfshirë funksionimin e shërbimeve bazë me rëndësi ekzistenciale, si sistemi shëndetësor dhe ai arsimor”, thuhet në njoftim.
Ata shtojnë se organizatat e shoqërisë civile kanë theksuar nevojën për angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar në sigurimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme ndaj kësaj çështjeje.
“Po ashtu është e rëndësishme të insistohet në konsultime të gjera dhe gjithëpërfshirëse me komunitetin serb, të cilat do të përfshinin përfaqësues politikë relevantë, shoqërinë civile dhe komunitetin akademik, si parakusht për çdo hap të mëtejshëm në lidhje me këtë kornizë ligjore”, theksohet në njoftim.
Ata theksojnë se grupi i organizatave të shoqërisë civile, nënshkruese të këtij njoftimi, do të vazhdojë ta monitorojë këtë proces dhe të angazhohet për zgjidhje që mbrojnë interesat e komunitetit serb dhe të drejtat e tij themelore, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve relevantë që të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë në këtë proces, duke pasur parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme që ai ka për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë.
komentet