Zoran Janaçkoviq: Falënderoj Listën Serbe dhe shtetin e Serbisë që na siguruan strehim të përkohshëm

Zoran Janačković
Burim: Kosovo Online

Zoran Janaçkoviq, i cili sot me familjen e tij u dëbua nga banesa në Mitrovicën e Veriut nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, theksoi se Lista Serbe, me ndihmën e shtetit të Serbisë, u ka siguruar strehim të përkohshëm për të dhe anëtarët e familjes së tij, dhe i falënderoi për këtë, por gjithashtu tha se do të vazhdojnë betejën ligjore për shtëpinë e tyre.

Janaçkoviq shprehu shpresën që Lista Serbe, me ndihmën e shtetit të Serbisë, do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për qëndrueshmërinë e popullit serb në këto hapësira.

“Falënderoj shumë përfaqësuesit e Listës Serbe që na siguruan që përkohësisht të kemi një çati mbi kokë. Ata na siguruan, me ndihmën e shtetit të Serbisë, që të kemi ku të jetojmë më tej. Nuk do të heqim dorë nga beteja ligjore për banesën, sepse është e jona. Shpresoj që edhe në të ardhmen të na ndihmojnë që të qëndrojmë në këto hapësira, në banesat tona dhe në vatrat tona,” tha Janaqkoviq.

Në orët e paradites, familja Janaçkoviq u dëbua nga shtëpia e tyre nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës me asistencën e Policisë së Kosovës. Pas më shumë se 20 vitesh, sipas anëtarëve të familjes Janaçkoviq, atyre, pa asnjë njoftim paraprak, u erdhi vendimi që banesa t’u merrej dhe t’i jepej një personi të quajtur Jonuzi, për të cilin familja thotë se kurrë nuk ka punuar në “Trepça”.