Jevtiq: Zgjedhjet e 9 shkurtit përcaktojnë të ardhmen e popullit serb në Kosovë

Dalibor Jevtić
Burim: Kosovo Online

Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë janë vendimtare, pasi ato do të përcaktojnë të ardhmen e popullit serb në Kosovë, ka theksuar nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq.

“Këto janë zgjedhje më të rëndësishme se kurrë për shkak të asaj që ka ndodhur në botë, veçanërisht në katër vitet e fundit, pasi Albin Kurti me politikat e tij etno-nacionaliste bëri gjithçka për të dëbuar popullin serb, kur na hoqën edhe ato pak të drejta që kishim. Këto zgjedhje të 9 shkurtit janë hapi i parë drejt qëllimit tonë, që është që populli serb të çlirohet përfundimisht nga ky regjim, se në institucionet në Prishtinë ne i zëmë ato pozita që na takojnë sipas vullnetit të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Ato janë vendimtare për disa arsye. Ajo do të përcaktojë të ardhmen e asaj që do të ndodhë në Kosovë e Metohi dhe në rajon. Nëse politikat e Kurtit vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve, më duket se do të shkojmë drejt destabilizimit të mëtejshëm. Gjithçka që bëri dhe dëshmoi se vetëm shkaktoi destabilitet, pakënaqësi, para së gjithash, të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, shpjegoi Jevtiq për RTS.

Ai ka theksuar se Lista Serbe ditëve të fundit ka qenë në çdo pjesë të Kosovës, si për shkak të fushatës zgjedhore, ashtu edhe për vazhdimin e asaj që bën normalisht, që janë biseda të drejtpërdrejta me qytetarët.

Nga ato biseda në Hoçë të Madhe dhe në Rahovec, thotë ai, më së miri mund të kuptohet pozita e popullit serb në Metohi, në zonat ku jeton i rrethuar nga shumica.

“Gjithçka që kanë kaluar serbët në Metohi është sigurisht sfiduese, jo vetëm në këtë moment. Dje vizituam Hoçën e Madhe dhe Rahovecin. Së bashku me kandidatët për deputetë pata rastin të bisedoj me banorët e Rahovecit dhe Hoçës së Madhe. Dëgjuam disa lloj kërkesash dhe kritikash dhe së bashku arritëm në përfundimin se më 9 shkurt të gjithë ne në Kosovë e Metohi kemi vetëm një emër dhe mbiemër, dhe ajo është Lista Serbe dhe numri 112”, ka nënvizuar ai.

Jevtiq tha se ka parë që Lista Serbe ka përkrahje të madhe në Hoçën e Madhe dhe Rahovec dhe se të gjithë bashkatdhetarët janë të vetëdijshëm se vetëm Lista Serbe mund të sigurojë një jetë më të mirë në këto zona në periudhën e ardhshme.

“Ata bëjnë një jetë të vështirë atje. Të jetosh në një mjedis ku jeni pakicë është e vështirë sepse jetoni në kushtet e një lufte të përditshme për mbijetesë. Nuk kemi harruar se çfarë ndodhi në Hoçë të Madhe kur u sulmuan nikoqirët e mirë, kur u morën prodhimet dhe dihet se njerëzit në Rahvec dhe Hoçë të Madhe merren me vreshtarinë. Nuk kemi harruar gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën jo shumë të largët kur një numër i madh i serbëve janë rrëmbyer gjatë luftës. Lutjet e tyre janë që të kenë mundësinë për të mbijetuar dhe qëndruar”, tha ai.

Ai shtoi se është arritur një marrëveshje e përbashkët për aktivitete të përbashkëta me shtetin e Serbisë, i cili ka krijuar vende të reja pune dhe ka ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet serbe.

Ai theksoi se shteti i Serbisë gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të vet dhe se në vazhdimësi i ndihmon serbët përmes ndihmës direkte, ndërtimit të shtëpive, subvencioneve për bizneset familjare, gjithçka që do të thotë jeta.

Jevtiq theksoi se Lista Serbe është përballur gjatë fushatës me retorikën e Albin Kurtit, i cili bëri gjithçka për ta përjashtuar Listën Serbe nga procesi zgjedhor, dhe kur nuk ia doli, vazhdoi të veprojë në mënyrë që qëllimi përfundimtar të mos arrihet.

“Qëllimi ynë nuk është vetëm të fitojmë të gjitha 10 mandatet, por fitorja për jetën dhe mbijetesën e popullit serb. Kur shihni se në njërën anë keni Albin Kurtin, i cili bën gjithçka kundër popullit serb, dhe satelitët e tij që me të njëjtën retorikë sulmojnë Listën Serbe, bëhet e qartë se Lista Serbe është e vetmja që mbrojti sinqerisht interesat e jetës dhe mbijetesës së popullit serb. Në terren kemi marrë mbështetje të drejtpërdrejtë, që do të thotë se një votë për Listën Serbe është një votë për qëndrimin dhe mbijetesën, ndërsa çdo votë tjetër është për politikën e Kurtit. Na gëzon fakti që mençuria e qytetarëve tanë është e pranishme, që na presin me dyer të hapura dhe krahëhapur. Ata janë të vetëdijshëm se vetëm Lista Serbe ka mbështetjen e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq. Ne nuk kemi një shtet tjetër, dhe për këtë arsye, kemi hyrë së bashku me popullin tonë në këtë betejë politike. Në zgjedhje nuk do të fitojë vetëm Lista Serbe, por edhe populli serb”, përfundoi Jevtiq.