Elezi: Kurti i përdor çështjet e sigurisë për qëllime zgjedhore, kështu fitoi zgjedhjet e fundit

Bedri Eljezi
Burim: Kosovo Online

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po i përdor çështjet e sigurisë për qëllime zgjedhore dhe se zgjedhjet e fundit i ka fituar duke përdorur retorikë të ngjashme.

Duke komentuar pretendimet e Kurtit se qeveria e tij do të garantojë kufijtë me fqinjët, por edhe se kushdo që cenon sigurinë e Kosovës do të ndëshkohet ashpër, Elezi thotë se ato duhet të shikohen vetëm në kuadër të fushatës zgjedhore.

“Kurti ka bërë vazhdimisht deklarata të ngjashme gjatë cikleve të mëparshme zgjedhore, të cilat i kanë sijell pikë politike dhe i kanë mundësuar të formojë qeverin. Këto deklarata kanë mbi të gjitha natyrë politike dhe janë pjesë e strategjisë së tij për të fituar besimin e votuesve”, tha Elezi për Kosovo online.

Duke kujtuar se deri më tani ka pasur disa sfida të sigurisë, që nga arrestimi i policëve të Kosovës e deri te ngjarjet në Banjskë, Elezi thekson se çështja e sigurisë kufitare është përgjegjësi ekskluzive e KFOR-it.

“Siguria e Kosovës është çështje kyçe, por është e rëndësishme të theksohet se, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, KFOR-i ka mandat të garantojë sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të sigurojë sigurinë kufitare, institucionet e Kosovës duhet të koordinojnë aktivitetet e tyre me misionin e NATO-s dhe jo të veprojnë në mënyrë të njëanshme”, tha Elezi.

Ai shtoi se pas incidenteve në Banjskë dhe në Mitrovicën e Veriut, KFOR-i e shtoi praninë e tij në veri të Kosovës, gjë që çoi në stabilizimin e situatës.

Megjithatë, ai paralajmëron se ka shumë faktorë që mund të ndikojnë në sigurinë, duke thënë se njëri prej tyre mund të jetë jostabiliteti brenda Serbisë.

“Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve”, tha Elezi.

Ai theksoi se Kosova nuk guxon të ndërmarrë veprime që mund të rrezikojnë qytetarët e vendeve fqinje apo të shkelin kufijtë.

“Kosova ka të drejtë të mbrojë sovranitetin e saj, por duhet ta bëjë këtë në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me KFOR-in dhe aktorët tjerë”, thekson Elezi.

Ai paralajmëron se këto nuk janë deklaratat e vetme të Kurtit që janë pjesë e premtimeve të pambajtura zgjedhore.

Ai përmend si kyç pretendimet për përkushtimin e qeverisë për ofrimin e kushteve më të mira të punës për Policinë e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës nuk i ka përmbushur as obligimet minimale që i ka marrë në fushatën e kaluar zgjedhore, sidomos sa i përket sigurimit shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Realisht mund të themi se Policia e Kosovës nuk është në gjendje të mirë sepse qeveria e Kurtit nuk ishte e përkushtuar siç duhet për të”, konsideron Elezi.

Ai thekson problemin e rritjes së buxhetit, por edhe të furnizimit të Policisë së Kosovës, nga municioni e deri te veshmbathja.

“Ne kemi parë edhe probleme serioze me mungesën e pagesave shtesë për policët e Kosovës që kanë punuar jashtë orarit zyrtar të punës”, thotë analisti.

Problem shtesë është edhe përfshirja e policisë në rastet e diskutueshme që bazoheshin në analiza të dobëta.

“Ne kemi parë përpjekjet e kryeministrit Kurti për të angazhuar policinë në raste kontestuese bazuar në analiza të dobëta. Policia e Kosovës është institucion që garanton siguri për të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, race, moshe dhe etnie. Prandaj, nuk duhet të ndërmerren veprime pa koordinim paraprak me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në”, vlerëson Elezi, duke shtuar se Policia e Kosovës duhet të garantojë sigurinë e të gjithë qytetarëve, veçanërisht të serbëve që jetojnë në katër komunat në veri.

“Policia e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar në detyrat e saj dhe në të njëjtën kohë të ketë mbështetjen që i ka munguar”, përfundon Elezi.

Andaj, ai pret edhe më shumë pjesëtarë të komuniteteve tjera në Policinë e Kosovës, sepse në këtë mënyrë do të garantohet siguria për të gjithë qytetarët, pa dallim nacionaliteti apo gjinie.