Kuçaj: Shqipëria po shënon rritje të fortë të investimeve të huaja, integrimi në BE është shtytësi kryesor

Krešnik Kučaj
Burim: Kosovo Online

Kryeredaktori i televizionit Skan nga Tirana, Kreshnik Kuçaj, thekson se Shqipëria gjatë viteve të fundit po përjeton një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte, si dhe një ndryshim në sektorët dhe vendet prej nga ato vijnë. Ai pret që në vitet e ardhshme procesi i integrimit në Bashkimin Evropian do të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja dhe do t’i sjellë më shumë të ardhura vendit.

“Nëse shohim trendin e investimeve të huaja në Shqipëri, do të shohim se në dhjetë vitet e fundit kemi pasur ndryshim jo vetëm në sasi, por edhe në gjeografinë e investitorëve, sidomos kur flasim për investimet e huaja direkte,” thotë Kuçaj për Kosovo online.

“Në dhjetë vitet e fundit, rezulton se Shqipëria ka arritur nga rreth 870 milionë euro investime të huaja direkte në vit, në 1.5 miliardë euro në vit. Kjo tregon se kemi një rritje të qëndrueshme, mesatarisht rreth gjashtë për qind në vit, çka do të thotë se Shqipëria është tërheqëse për investitorët e huaj dhe ka një normë të kënaqshme rritjeje,” thekson ai.

Sipas tij, ndryshimi vërehet edhe në strukturat e investimeve.

“Ka ndodhur një ndryshim në sektorët ku investohet, pasi më parë fokusi ishte në energjetikë dhe burime natyrore (minerale), ndërsa tani kemi diversifikim të portofolit të investimeve. Investitorët po fokusohen kryesisht te pasuritë e paluajtshme, të cilat janë një magnet i fortë për tërheqjen e investimeve të huaja. Gjithashtu kemi investime në energjinë e rinovueshme, si dhe rritje të madhe të shërbimeve financiare dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, veçanërisht në turizëm, që është një nga degët më të rëndësishme,” thekson Kuçaj.

Duke folur për vendet prej nga vijnë investimet, Kuçaj nënvizon se Bashkimi Evropian mbetet aktori kryesor.

“Vendet e BE-së mbeten investitorët kryesorë, me Italinë në vend të parë. Investimet italiane janë rritur sidomos pas pandemisë, por nuk duhet lënë mënjanë as Turiqinë, e cila është bërë një investitor i rëndësishëm, si në tregtinë dypalëshe ashtu edhe në investimet e huaja direkte,” thotë ai.

Si avantazh të Shqipërisë, Kuçaj përmend pozicionin gjeografik dhe rrethanat e brendshme ekonomike.

“Shqipëria ka avantazhin e pozicionit të saj gjeografik shumë të rëndësishëm, sepse jemi shumë afër vendeve të BE-së dhe jemi pjesë e Evropës. Kjo është përparësia kryesore, pasi vendi ynë është një portë hyrëse për mallrat. Ka edhe përparësi të tjera të brendshme, si zhvillimi i turizmit dhe tregu i pasurive të paluajtshme, që po përjeton rritje të vazhdueshme. Një avantazh shumë i rëndësishëm është prodhimi i energjisë nga burime të rinovueshme, duke qenë se direktivat e BE-së kërkojnë kalimin drejt energjisë me zero emetime,” thotë ai.

Kuçaj shpjegonon se Shqipëria ka avantazh edhe për shkak se prodhon energji nga hidrocentralet, pra 100% energji të pastër, ndërkohë që po investon edhe në energjinë diellore dhe atë të erës. Ai thekson gjithashtu rëndësinë e fuqisë punëtore dhe të lehtësive fiskale.

“Shqipëria ka potencial të madh për sa i përket fuqisë punëtore, e cila ka kosto më të ulëta se në vendet e tjera, dhe ky është një avantazh që e ndihmon të konkurojë në tërheqjen e investimeve të huaja. Vendi ynë ka lehtësime fiskale që synojnë të nxisin investimet e huaja. Janë krijuar zona të veçanta ekonomike, ku investitorët mund të investojnë duke përfituar nga këto lehtësime fiskale dhe nga procedura më të thjeshtuara. Këto janë masa që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të tërhequr investime të huaja,” thotë Kuçaj.

Ai shton se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të jetë shtytësi kryesor i rritjes së investimeve të huaja.

“Shtytësi kryesor i investimeve të huaja do të jetë procesi i anëtarësimit në BE, i cili do të sjellë garanci shumë më të madhe për stabilitetin. Mos të harrojmë se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, çka përbën garanci për sigurinë. Nga ana tjetër, kemi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, që do të thotë se Shqipëria nuk do të jetë më treg i vogël, por do të ketë qasje në një treg shumë më të madh – tregun e BE-së,” thekson Kuçaj.

Duke folur për bashkëpunimin me vendet e rajonit, Kuçaj thotë se Shqipëria ka marrëdhënie të mira dhe projekte të përbashkëta me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria ka bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit – me Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëse shohim Forumin e Investimeve që u mbajt këto ditë, projektet e financuara nga Bashkimi Evropian ishin dy për Shqipërinë, dy për Serbinë, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi ishin gjithashtu të përfshirë. Këto janë projekte që nxisin bashkëpunimin rajonal,” shpjegon ai.

Ai kujton se BE-ja financon projekte që lidhin ekonomitë e rajonit.

“BE-ja ka financuar një projekt në Shqipëri për prodhimin e energjisë nga mbetjet. Një tjetër projekt ka qenë për prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, në bashkëpunim me Malin e Zi. Gjithashtu kemi bashkëpunim me Serbinë për një fabrikë për prodhimin e baterive. Pra, kemi një sërë projektesh që synojnë lidhjen ekonomike të vendeve të Ballkanit,” shpjegon Kuçaj.
Duke folur për pengesat për investitorët e huaj, Kuçaj thekson se problemi i korrupsionit mbetet ende i pranishëm.
“Në çdo raport të investitorëve të huaj, niveli i korrupsionit në vendin tonë dhe joformaliteti i ekonomisë përmenden si shqetësim. Ka ankesa për mungesë të sigurisë ligjore dhe për elemente të tjera të garancisë. Mbetet për t’u parë si do të ndikojë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE në të ardhmen. Pra nëse ai do të shërbejë si presion pozitiv për të ndërmarrë reformat e nevojshme në këtë drejtim,” thotë Kuçaj.

Ai thekson se disa reforma dhe iniciativa tashmë janë duke u ndërmarrë.

"Mos të harrojmë se kemi disa iniciativa lokale, siç është vendimi për të përdorur inteligjencën artificiale gjatë dhënies së tenderëve publikë, kemi disa thjeshtësime për aplikimet direkte pa nevojën e ndërmjetësve. Sigurisht, teknologjia, së bashku me presionin e Bashkimit Evropian për të përmbushur kritere dhe standarde të caktuara, mendoj se do të ketë një efekt pozitiv në përmirësimin e këtij treguesi në Shqipëri", thotë Kuçaj.

Ai shton se çdo burokraci ka problemet e veta që pasqyrohen në raporte.

"Ato u theksuan edhe nga dhomat e tregtisë dhe institucionet e huaja, por sidoqoftë, investimet e huaja kanë qenë gjithmonë në rritje, dhe besoj se në vitet e ardhshme trendi do të jetë i njëjtë dhe madje do të përmirësohet", përfundon Kuçaj.