Lista Serbe: Paneli Zgjedhor refuzon ankesat tona, jemi të dëmtuar në mënyrë drastike
Lista Serbe njoftoi sot se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesat e saj, si dhe ankesën e përfaqësuesit të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ata theksojnë se ky vendim konfirmon një akt të paligjshëm dhe diskriminues lidhur me përbërjen e komisioneve të vendvotimeve.
„Me këtë vendim, Lista Serbe do të dëmtohet në mënyrë drastike krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare, pasi një numër i madh i vendvotimeve do të jenë pa anëtarë tanë,“ paralajmëron Lista Serbe.
Ata shtojnë se këtë vendim e perceptojnë si një presion tjetër ndaj popullit serb dhe Listës Serbe.
“Por pikërisht për këtë i bëjmë thirrje bashkatdhetarëve tanë që të bashkohen dhe të bien dakord, të qëndrojnë nën një flamur dhe të tregojnë se ne ekzistojmë dhe se nuk jemi frikësuar dhe se asnjë pengesë e vendosur para nesh nuk do të na pengojë të luftojmë për interesat e popullit serb në këtë rajon”, thotë Lista Serbe.
Lista Serbe tre ditë më parë ka paraqitur ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për përbërjen e komisioneve të vendvotimeve, duke e konsideruar atë të paligjshëm.
0 komentet