Lista Serbe: Vendimi i KQZ-së është shembull i inxhinieringut me të cilin Kurti synon të pengojë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje

Srpska lista
Burim: Kosovo Online

Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos i certifikojë kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë të Listës Serbe, nga kjo parti thonë se bëhet fjalë për një shembull tjetër të diskriminimit politik dhe inxhinieringut me të cilin kryeministri i Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, synon të pengojë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, duke favorizuar njëkohësisht “partitë kuazi-serbe të afërta me të”.

Në komunikatën e Listës Serbe theksohet se kandidatët e tyre nuk janë certifikuar edhe pse janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe pavarësisht faktit se Zyra për Certifikim kishte konfirmuar që të gjithë kandidatët i përmbushin kriteret ligjore në tërësi.

“Një sjellje e tillë përbën goditje të rëndë për sundimin e ligjit dhe është dëshmi se bashkësia ndërkombëtare, edhe pas më shumë se dy dekadash, nuk ka arritur të vendosë një sistem të drejtë dhe demokratik, ndërsa thirrjet e saj drejtuar Kurtit për respektimin e ligjit dhe të drejtave të popullit serb nuk merren aspak seriozisht, gjë që, besojmë, duhet të jetë një thirrje për reagimin e tyre serioz”, thuhet në njoftim.

Ata shtojnë gjithashtu se Kurti po i shkel hapur ligjet dhe rregullat e veta në mënyrë që të dobësojë Listën Serbe, respektivisht të shkatërrojë unitetin e popullit serb falë të cilit serbët përfaqësojnë një faktor politik në këto hapësira, pasi ai është i vetëdijshëm se “ai dhe të bindurit e tij nga radhët serbe nuk kanë mbështetje nga populli serb”.

Lista Serbe thekson se mbetet e përkushtuar ndaj interesave të popullit serb në Kosovë dhe se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat dhe mbijetesën e tij, pavarësisht të gjitha presioneve dhe padrejtësive.

“Ky vendim i Kurtit do të jetë nxitje që të luftojmë edhe më fort dhe më vendosmërisht për të drejtën e serbëve që të zgjedhin vetë këshilltarët dhe kryekomunarët e tyre, por jo për të zgjedhur ata që Kurti ua paraqet atyre”, përfundon Lista Serbe, duke paralajmëruar se nesër në një konferencë për media do të flasin më hollësisht për, siç theksojnë, “vendimin skandaloz, të kundërligjshëm dhe anti-serb”.