Kovaçevski: Pagesa elektronike e tarifave konfirmon se "Ballkani i Hapur" po jep rezultate
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se pagesa elektronike e tarifave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është konfirmimi më i mirë se nisma “Ballkani i hapur” po jep rezultate, raporton RTV.
"Nëse shikojmë hulumtimin, nisma "Ballkani i Hapur" ka mbështetje të madhe dhe ka prodhuar rezultate në vetëm tre muaj. Inxhinierët serbë dhe maqedonas kanë krijuar një zgjidhje për një grumbullim unik elektronik të tarifave," tha Kovaçevski gjatë një vizite në pikave të shitjes "Open Balkan - pagesa elektronike", në stacionin e pagesës së Preshevës, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, në shoqërinë e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq dhe ministrave të Transportit, Goran Vesiq dhe Blagoje Boçvarski.
Ai theksoi se kartela e blerë në Maqedoninë e Veriut funksionon në mënyrë perfekte në Serbi.
Siç tha ai, deri të premten e ardhshme, në trafikun e mallrave do të mund të shfrytëzohet edhe pagesa elektronike e tarifave.
“Këmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve është rritur për më shumë se 20 për qind dhe numri i turistëve që vijnë nga Serbia këtë vit është mjaft më i lartë në krahasim me vitet paraprake”, theksoi Kovaçevski.
Ai njoftoi se do të vijojë vendosja e një sistemi softuerësh për lëvizjen e qetë të punëtorëve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Kovaçevski shtoi se në të ardhmen do të punohet në rritjen e shkëmbimit tregtar me Serbinë.
"Ministrat po punojnë për një zgjidhje që do të na lejojë të kemi vetëm një kontroll të trafikut midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nisma "Ballkani i Hapur" do të lidhë kompanitë tona dhe do të shkatërrojë barrierat," përfundoi Kovaçevski.
0 komentet