Lajçak: Përshkallëzimi i panevojshëm, nuk i takon NATO-s ta zgjidhë këtë, na duhet zgjidhje politike
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka vlerësuar se ngjarjet në veri të Kosovës janë një përshkallëzim absolutisht i panevojshëm dhe i palogjikshëm, duke theksuar se është e mundur vetëm zgjidhja politike, përmes dialogut ekzistues, transmeton Deutsche Welle.
Kosova dhe Serbia akuzojnë njëra-tjetrën për nxitje të tensioneve në veri të Kosovës. Cila është në fakt arsyeja e këtij përshkallëzimi?
Arsyeja është mosbesimi i thellë mes dy komuniteteve, shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Së dyti, serbët u tërhoqën nga institucionet e Kosovës. Zgjedhjet u mbajtën në katër komuna dhe pjesëmarrja ishte 3.4 për qind. Pra, këta kryetarë bashkie të sapozgjedhur i kanë përmbushur kriteret ligjore, por kur flasim për legjitimitet apo përfaqësim, atëherë sigurisht që ka një pikëpyetje të madhe. Më pas, të premten e kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi t'i futë ata kryetarë komunash në ndërtesat komunale në zonat e banuara me serb, serbët tentuan ta bllokojnë atë. Dhe kjo është situata që kemi deri më sot.
Sa goditje është kjo për përpjekjet tuaja në terren me synimin për të vendosur paqen mes dy palëve?
Duhet të them se ky është një përshkallëzim absolutisht i panevojshëm dhe i palogjikshëm, sepse pas shumë e shumë muajsh negociata arritëm dy marrëveshje të rëndësishme, në shkurt marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe më pas në mars në Ohër edhe aneksin e zbatimit. Kjo do të thotë se ne kemi një rrugë drejt normalizimit, kemi një program që trajton qartë të gjitha çështjet e hapura, kemi filluar ta zbatojmë atë dokument dhe pastaj ka ardhur kjo, që është krejtësisht e panevojshme, por fatkeqësisht shkakton ndërhyrje shumë të rënda. Nuk mund të kemi normalizim dhe përshkallëzim në të njëjtën kohë. Prandaj, është e nevojshme të de-përshkallëzohet, duhet t'i rikthehet punës për normalizimin, për zbatimin e dokumentit. Nëse nuk do të kishim një dokument, do ta kuptoja se njerëzit besojnë se veprime të tilla do të kenë sukses. Por ne kemi një marrëveshje, e cila nuk ka qenë kurrë më parë, kështu që duhet t'i kthehemi zbatimit të asaj marrëveshjeje dhe normalizimit.
NATO po vendos forca shtesë në rajon. A do të ndihmojë në zbutjen e konfliktit? Sepse, siç dëgjojmë nga ju, kjo kërkon një zgjidhje politike, apo jo? Dhe kjo, siç dëgjojmë nga Bashkimi Evropian, duhet të vijë nga Prishtina.
Epo, është e qartë se kjo mund të zgjidhet vetëm politikisht, dhe kjo do të thotë përmes dialogut ekzistues. Është një platformë e vërtetë. NATO luajti një rol shumë të rëndësishëm, mbi të gjitha, në ruajtjen e paqes në terren. Edhe në këtë situatë të nxehur aktuale, njësitet e KFOR-it po ndanin policinë e Kosovës nga serbët e Kosovës. Fatkeqësisht, shumë prej tyre u plagosën në atë konflikt. Prandaj, duke forcuar NATO-n, forcohet edhe garancia se do të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm, por është e qartë se NATO-ja nuk mund ta zgjidhë këtë - me gjithë respektin që kam për NATO-n. Nuk i takon NATO-s ta zgjidhë këtë, ne kemi nevojë për një zgjidhje politike. Dhe padyshim që të dyja palët duhet të bëjnë pjesën e tyre.
Këtu ka një dinamikë tjetër, e cila është se Rusia dhe Kina mbështetën qëndrimin e Serbisë. Çfarë do të thotë kjo për marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian?
Unë e shoh atë si deklarata që nuk kanë asnjë lidhje reale me situatën në terren. Situata në terren është se ne kemi një dialog të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet fuqimisht nga të 27 vendet anëtare të BE-së dhe mbështetet shumë fuqishëm edhe nga Shtetet e Bashkuara. Të dyja palët janë pjesë e këtij dialogu. Pra, do të thoja, këto janë deklarata që realisht nuk kanë asnjë ndikim në situatën në terren. Ajo që na duhet vërtet është kthimi në tryezën e negociatave.
0 komentet