Këshilli i Evropës në fokusin e Prishtinës pas aktgjykimit në Hagë: A janë ende në fuqi kushtet e mëparshme për anëtarësim?

Savet Evrope.jpg
Burim: coe.int

Aktgjykimi dënues që Gjykata Speciale ua shqiptoi ish-udhëheqësve të UÇK-së për krime lufte e ka rikthyer në qendër të vëmendjes politike në Prishtinë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do t'u mundësonte të dënuarve në Hagë që, pas përfundimit të procesit të apelit, t'i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por nuk do të çonte në mbylljen e Dhomave të Specializuara, theksojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online. Ata konsiderojnë gjithashtu se gjasat që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, me seli në Pallatin e Evropës në Strasburg, janë të vogla për sa kohë që projektstatuti evropian i Asociacionit të Komunave Serbe nuk i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Kanë kaluar dy vjet e gjysmë që kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) rekomandoi pranimin e Kosovës në këtë organizatë, por kjo çështje nuk është ngritur në mbledhjet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili merr vendimin përfundimtar.

Madje, edhe kërkesa e Kosovës për të marrë statusin e mysafirit special në APKE ka mbetur në plan të dytë.

Zërat në Prishtinë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është prioritet janë bërë gjithnjë e më të fuqishëm që nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale në Hagë i shpalli fajtorë ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, për krime lufte që përfshijnë arrestimin dhe privimin arbitrar nga liria, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.

Duke folur për objektivat në politikën e jashtme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e renditi anëtarësimin në Këshillin e Evropës ndër prioritetet kryesore.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t'u mundësonte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në sistemin më të gjerë evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha ai.

Për Këshillin e Evropës u diskutua javën e kaluar edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe të Komisionit për Punë të Jashtme.

“Për PDK dhe gjithë Kuvendin e Kosovës, dy çështje kanë rëndësi të veçantë: procesi i apelit në Hagë dhe Këshilli i Evropës”, tha Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës.


Edhe sipas mendimit të publicistit Veton Surroi, interesi kryesor i Kosovës është të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, ndërsa ky interes, sipas tij, lidhet me zgjidhjen e çështjes së Dhomave të Specializuara.

“Vetëm përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës mund të krijojmë një mjedis juridik në të cilin do të mund të shqyrtohej çështja e Dhomave të Specializuara”, deklaroi Surroi.

Ankesat në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Hulumtuesi në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Goran Sandiq, thotë për Kosovo online se nuk sheh ndonjë lidhje të qartë ndërmjet Dhomave të Specializuara dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të sillte vetvetiu shfuqizimin e Dhomave të Specializuara dhe as Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk do të kishte mandat të urdhëronte diçka të tillë. Ndërkaq, kufizimi i kompetencave të Dhomave ose shfuqizimi i tyre i mundshëm përpara se Kosova të bëhej eventualisht anëtare e Këshillit të Evropës do të përbënte vetëm një pengesë për Kosovën në këtë rrugë”, thotë Sandiq. 

Nëse Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës, ajo që do të përfitonte në kontekstin e aktgjykimeve të Gjykatës Speciale në Hagë, siç shpjegon ai, është mundësia që personat e dënuar t'i drejtohen me ankesë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi shkalla e apelit ta ketë konfirmuar ose ndryshuar aktgjykimin, por ai të mbetet dënues.

“Megjithatë, më duket se, duke folur hipotetikisht, kjo është ende shumë larg, duke qenë se edhe vetë Dhomat e Specializuara zbatojnë standardet e të drejtave të njeriut të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo konventë zbatohet në Kosovë që nga koha kur ishte pjesë e rregullativës së UNMIK-ut, ndërsa joformalisht zbatohet edhe si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve të Prishtinës për t'u paraqitur si një shtet që respekton vlerat dhe mund të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Padi e pamundur kundër Serbisë

Sandiq thotë se ekziston një narrativë e caktuar, madje edhe populiste, sipas së cilës Kosova, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës, do të mund të ngrinte padi kundër Serbisë për gjenocid, krime lufte e të ngjashme. Siç thekson ai, procedurat para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mund të iniciohen kundër çdo shteti që shkel Konventën Evropiane, por kjo konventë nuk flet askund për gjenocidin apo krimet e luftës. Ajo ka të bëjë kryesisht me të drejtat politike dhe civile – të drejtën për jetë, ndalimin e torturës, lirinë e tubimit dhe të organizimit, si dhe të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

“Edhe sikur Kosova të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës dhe të aderonte në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ajo nuk do të mund të niste një proces gjyqësor kundër Serbisë për asgjë që ka ndodhur përpara se Serbia ta ratifikonte Konventën Evropiane, gjë që ndodhi në vitin 2004. Ndërsa shumica e ngjarjeve për të cilat flasin politikanët e tyre kanë ndodhur shumë kohë përpara vitit 2004”, thekson ai.

Lobimet dhe kërkesat

Duke shpjeguar pse çështja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është aktualizuar pas aktgjykimeve ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thekson se, nëse Kosova do të pranohej në Këshillin e Evropës si anëtare e plotë, qytetarët e Kosovës do të kishin të drejtë t'i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, gjë që do të vlente edhe për katër ish-udhëheqësit e dënuar të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Në rast se Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës, atëherë edhe ata do të mund ta shfrytëzonin Konventën Evropiane dhe Gjykatën Evropiane në Strasburg për mbrojtjen e të drejtave të tyre, sepse gjatë këtyre proceseve shumë gjëra kanë qenë në kundërshtim me të gjitha parimet dhe standardet, jo vetëm të ligjit të Kosovës për këtë gjykatë, por edhe të procedurës penale, madje edhe të procedurës penale ndërkombëtare. Gjithashtu konsiderohet se u janë shqiptuar dënime drakoniane, sepse nuk ka ndodhur asnjëherë që dikujt t'i caktohen dënime të tilla”, tha Baraliu për Kosovo online.

Ai shton se ekzistojnë edhe shumë kërkesa dhe ankesa të tjera të qytetarëve të Kosovës për shkak të papërgjegjshmërisë dhe joefikasitetit të gjykatave, për të cilat anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të kishte rëndësi.

“Megjithatë, nuk jam i sigurt se do t'ia dalim, për shkak të propagandës, lobimit dhe diplomacisë së atyre që nuk e dëshirojnë këtë. Këtu bëjnë pjesë Rusia dhe Serbia, si dhe disa vende të tjera, madje edhe perëndimore, të cilat nuk e duan Kosovën në institucionet evropiane. Dëshmia më e qartë është fakti se prej më shumë se dy apo tre vjetësh nuk është shqyrtuar fare kërkesa e Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk besoj se janë të gatshëm të votojnë që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës”, vlerësoi Baraliu.

Sa i përket kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas vlerësimit të tij, Prishtinës po i parashtrohen kërkesa të ndryshme që nuk lidhen me kriteret dhe standardet që duhet të përmbushë një vend për t'u bërë anëtar i KE. 


Lidhur me kushtin që ka të bëjë me AKS, ai vlerëson se bëhet fjalë për “sjellje hipokrite të Bashkimit Evropian” dhe kujton se një nga kushtet ka qenë edhe çështja e Manastirit të Deçanit, përkatësisht zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin manastirit i është njohur pronësia mbi rreth 24 hektarë tokë në afërsi të tij.

“Edhe kjo është bërë, megjithëse nuk kishte bazë as në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, kjo qeveri e pranoi. Po ashtu, ka pasur edhe një letër nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, në të cilën thuhej se do të pranonin gjithçka që do të kërkonte Këshilli, por megjithatë nuk votuan pro. Pra, ata vendosin në momentin e fundit kushte të caktuara që nuk mund të përmbushen, sepse çdo qeveri ka përgjegjësi para së gjithash ndaj qytetarëve të saj dhe vetëm më pas ndaj bashkësisë ndërkombëtare”, tha Baraliu.

AKS mbetet kusht

Megjithëse ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë, që para dy vjetësh e gjysmë, kishin theksuar se dërgimi i projektstatutit të Asociacionit të Komunave Serbe për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte një hap drejt sigurimit të mbështetjes për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, zyrtarët e Kosovës deri më tani nuk e kanë ndërmarrë këtë hap.

Sipas vlerësimit të ish-ambasadorit të RFJ-së në Gjermani, Zoran Jeremiq, pa e ndërmarrë Kosova këtë hap, nuk mund të llogarisë në mbështetjen e vendeve kryesore anëtare të BE-së për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, sipas vlerësimit të tij, Kosova as nuk është në gjendje ta ndërmarrë një hap të tillë.

“Ata ende ndodhen në fazën e shpërbërjes së institucioneve serbe dhe dëbimit të popullsisë serbe nga Kosova, në mënyrë që një ditë, kur të pranojnë ta hartojnë statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, kjo të bëhet ose e pakuptimtë, ose të mos ketë më të njëjtën përmbajtje thelbësore. Natyrisht, deri atëherë ka ende shumë kohë dhe, pa e arritur këtë qëllim, pra pa e bërë të pakuptimtë ekzistencën e Asociacionit të Komunave Serbe, ata as nuk do ta dorëzojnë statutin. Kështu, do ta bllokojnë vetveten për një periudhë më të gjatë”, tha Jeremiq pëe Kosovo online.


Ai beson se Gjermania dhe Franca do t'i qëndrojnë qëndrimit të tyre të mëparshëm për këtë çështje, pasi ajo lidhet me një sërë kontratash dhe marrëveshjesh të tjera të arritura.

“Nuk besoj se për shkak të një çështjeje të tillë triviale, siç është problemi i Gjykatës Speciale dhe aktgjykimeve të saj, do të marrin ndonjë vendim thelbësor në një drejtim tjetër”, thotë Jeremiq.

Sipas vlerësimit të tij, interpretimet se Kosova, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës, do të gjejë një strategji daljeje pas aktgjykimeve dënuese për krime lufte ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, përbëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje dytësore ose rrugë alternative.

“Për momentin nuk ka tregues se kjo mund të ketë sukses. Ekziston një rrugë e qartë ligjore përmes së cilës aktgjykimi mund të vihet eventualisht në pikëpyetje – ankesa është e vetmja rrugë e mundshme për të ndërmarrë diçka në këtë fazë”, thotë Jeremiq.