Mitrovica e Veriut kundër vullnetit të serbëve në Asociacionin e Komunave të Kosovës: Çfarë dëshiron të arrijë me këtë qeveria në Prishtinë?
Derisa ende po shtyhet formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, i cili ka qenë obligim i Prishtinës për 10 vite sipas Marrëveshjes së Brukselit, me iniciativën e anëtarit të Vetëvendosjes Erden Atiq, i cili u bë kryetar i Komunës së Mitrovicës të Veriut në maj në zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e serbëve, kjo komunë para disa ditesh u bë anëtare e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK). Shtrohet pyetja se çfarë dëshiron të arrijë qeveria e Kosovës me këtë lëvizje, duke e shtyrë komunën me shumicë absolute serbe, kundër vullnetit të qytetarëve, në një organizim që nuk ka rol dhe rëndësi të qartë.
Bashkëbiseduesit e Kosova Online thonë se për qytetarët e Mitrovicës së Veriut ky anëtarësim nuk do të thotë asgjë dhe se lëvizja e Atiqit mund të shihet si një provokim i ri ndaj serbëve.
Në ueb faqen e AKK thuhet se është themeluar në vitin 2001 dhe se është një organizatë jofitimprurëse, gjegjësisht person juridik që përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të saj – autoriteteve lokale. Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Aljbin Kurti, duke shpjeguar pse nuk po ndërmerr asnjë veprim në lidhje me formimin e AKS, disa herë ka thënë se “nuk mund të formohet një bashkësi e vetme kombëtare sepse tashmë ekziston Asociacioni i Komunave të Kosovës”.
Aleksandar Rapajiq nga organizata joqeveritare “Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike” (ACDC) thotë për Kosova Online se Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka fuqi të konsiderueshme në Kosovë, por funksionon si një organizatë joqeveritare pak më e fortë, e cila aspak nuk është ajo që i duhet popullit serb për momentin.
“Unë mendoj se banorët e Mitrovicës së Veriut nuk do të shohin ndonjë efekt pozitiv nga një gjë e tillë dhe se ky është vetëm një provokim i radhës ndaj popullit serb dhe në një farë mënyre mashtrim i marrëveshjes së Brukselit. Anëtarësimi në Asociacionin e Komunave të Kosovës është në baza vullnetare dhe secila komunë mund të largohet kur të dojë, kështu që në asnjë mënyrë nuk mund ta pengojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, e as që Komuna e Mitrovicës së Veriut të bëhet një anëtar i atij Asociacioni të ardhshëm të Komunave Serbe kur të formohet. Ligjërisht kjo nuk mund të shkaktojë ndonjë problem, por shohim se nuk po ndodh asgjë në lidhje me formimin e AKS”, tregon Rapajiq.
Milica Andriq-Rakiq nga organizata joqeveritare “Nisma e Re Sociale” thotë për Kosova Online se AKK-ja nuk mund ta sabotojë Bashkësin e Komunave Serbe sepse, thekson ajo, AKS është obligim ndërkombëtar i Kosovës që mbetet në fuqi dhe nuk ka çfarë të bëjë me AKK-në. Ajo beson se askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk do ta shohë anëtarësimin në Asociacionin e Komunave të Kosovës si zëvendësim për AKS.
“Nëse ideja ka qenë që Komuna e Mitrovicës së Veriut të bëhet anëtare e AKK-së për të shmangur detyrimin ndërkombëtar të Kosovës për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe, atëherë mund të flitet vetëm për moskuptim të së drejtës ndërkombëtare nga ana e zyrtarëve. Pra, nuk ka lidhje me njëra-tjetrën, janë thjesht gjëra që nuk lidhen në asnjë mënyrë, përveçse ka disa ngjashmëri në emër. AKK-ja është një organizatë që nuk ka kompetenca ekzekutive dhe anëtarësimi i Mitrovicës së Veriut në këtë Asociacion nuk është asgjë e rëndësishme apo e madhe. Në Asociacion, komunat që janë anëtare qëndrojnë për disa qëllime të përbashkëta. Kjo, për shembull, është avokim ndaj Qeverisë kur, për shembull, disa çështje kanë të bëjnë me buxhetin. Ose, le të themi, në muajt e fundit janë aktivizuar në çështjen e dëmshpërblimeve për përmbytjet dhe gjëra të ngjashme, pra për disa gjëra që prekin komunat dhe për të cilat mund të bien dakord dhe të avokojnë zgjidhje tek institucionet qendrore”, shpjegon Andriq-Rakiq.
Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizatë joqeveritare dhe nuk ka asnjë rëndësi politike, thotë për portalin tonë drejtori ekzekutiv i AKK-së Sazan Ibrahimi.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës është një organizatë joqeveritare që punon, lobon, gjegjësisht avokon dhe ndërton kapacitetet e komunave, përmes AKK-së shkëmbehen përvoja të mira në mes të komunave, kryetarëve të komunave, si dhe drejtorëve dhe zyrtarëve komunalë përmes kolegjiumeve profesionale. AKK-ja nuk është organizatë politike dhe misioni i saj është që të mbrojë interesat e komunave”, sqaron Ibrahimi.
Mirëpo, ky Asociacion shpesh ankohet se qeveria e Albin Kurtit nuk i dëgjon kërkesat dhe qëndrimet e AKK-së, kështu që vetë Ibrahimi ka deklaruar se qeveria e kryesuar nga kryeministri Kurti nuk shfaq dëshirë për partneritet me këtë Asociacion.
Përndryshe, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili e solli këtë komunë në AKK, në zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuar nga serbët fitoi vetëm 550 vota.
Që prej zgjedhjes së tij, kjo komunë ka marrë disa vendime të diskutueshme nga pikëpamja e popullatës shumicë serbe. Fillimisht u hodh iniciativa për hapjen e urës kryesore në Ibër, më pas u ndërrua vula e vetëqeverisjes lokale, në të cilën tani në vend të "Zyrës Administrative Mitrovica Veriore" shkruan "Komuna e Mitrovicës së Veriut - Republika e Kosovës" , dhe pak ditë më parë me iniciativën e tij përfundoi procedura e anëtarësimit e Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës.


komentet