Wesley Clark në Hagë – a do të jetë vendimtare dëshmia e ish-gjeneralit amerikan për Thaçin?

Vesli Klark
Burim: Kosovo Online

Wesley Clark për në fund. Gjenerali amerikan që ishte në krye të forcave të NATO-s të cilat në vitin 1999 bombarduan Serbinë, tani do të paraqitet si dëshmitari i fundit i mbrojtjes në rastin kundër ish-liderëve të UÇK-së. Por mbetet pyetja  sa dëshmia e Clarkut mund të ndikojë në vetë rezultatin e gjykimit, vlerësojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe ndaj tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës po zhvillohet proces gjyqësor, ndër të tjera, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Çfarëdo që të jetë vendimi, dënues apo lirues, nuk ka dyshim se ajo ditë do të jetë lajm kryesor, jo vetëm në Ballkan, por edhe në mediat botërore, dhe pasojat e tij do të ndihen edhe në skenën politike të Ballkanit Perëndimor, para së gjithash në Prishtinë.

Avokati Tom Gashi vlerëson se dëshmia e Wesely Clarkut do të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës.

“Të gjithë e dimë se Wesly Clark ishte gjenerali që bombardoi Serbinë gjatë vitit 1999, për shkak të krimeve të luftës të kryera në Kosovë. Besoj se ai është një nga dëshmitarët shumë të rëndësishëm të mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe të tjerëve që po gjykohen në Gjykatën Speciale. Mendoj se ai do ta ndihmojë gjykatën të konstatojë të vërtetën në lidhje me këtë aktakuzë, e cila është ngritur më shumë se pesë vjet më parë,” thotë Gashi.

Ai shtoi se Clark ishte komandanti kryesor i NATO-s gjatë bombardimeve të Serbisë dhe për këtë arsye është dëshmitar shumë i besueshëm.

“Pikërisht për këtë arsye ai është ndër dëshmitarët që janë propozuar nga mbrojtja në këtë gjykatë speciale,” thotë Gashi.

Redaktori i portalit të RTS-së, Rade Maroeviq, mendon se Wesley Clark, si dëshmitari i fundit i mbrojtjes në Hagë, vetëm do të vazhdojë tezën e mbrojtjes se ish-liderët e UÇK-së që ndodhen para gjykatës në Hagë nuk mund të kenë qenë drejtpërdrejt përgjegjës për krimet që u vihen në barrë. Maroeviq thekson se “yllët” kryesorë të mbrojtjes kanë qenë Jack Covey dhe James Rubin, ndërsa Wesely Clark është thirrur si figurë me rëndësi të përgjithshme simbolike, megjithëse nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Thaçin dhe udhëheqësit e UÇK-së gjatë luftës.

“Në parim, mund të presim vetëm që ai të vazhdojë përpjekjen për të dëshmuar se udhëheqësia e UÇK-së që ndodhet në Hagë nuk mund të ishte përgjegjëse drejtpërdrejt për krimet për të cilat janë akuzuar katër prej tyre. Thjesht, mbrojtja përpiqet të dëshmojë, Luka Mishetiq është një avokat shumë i aftë, e kemi parë më herët, se fajtorët për krimet kanë qenë individë brenda radhëve të UÇK-së ose komandantë rajonalë, e jo drejtuesit në krye”.

Wesley Clark ishte në krye të forcave të NATO-s në kohën kur numri më i madh i serbëve ishte rrëmbyer dhe vrarë nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Vetëm pjesërisht aktakuza i përket asaj periudhe; pjesa kryesore i referohet periudhës para ardhjes së NATO-s dhe pjesërisht pas saj. Megjithatë, prokuroria nuk është marrë me këtë çështje në mënyrë që të akuzojë NATO-n ose t’i atribuohet ndonjë pjesë përgjegjësie asaj, por drejtpërdrejt liderëve të UÇK-së. Një nga arsyet e këtij qëndrimi është se NATO nuk ishte forcë policore dhe gjatë muajve të parë nuk kishte kapacitet ta bënte këtë, ndërsa policia e UNMIK-ut, që duhej ta bënte, kurrë nuk arriti numrin e planifikuar prej 6.000 pjesëtarësh”.

Në Prishtinë, pritet shumë nga dëshmia e Wesley Clarkut.

“Sepse ai ishte figura më e ekspozuar gjatë luftës dhe konsiderohet hero në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Por në realitet, dy dëshmitarët kyç ishin Jack Covey dhe James Rubin – njeri që krijoi figurën e Thaçit dhe tjetri që e mbrojti atë në momentin kur u vendos administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Covey, nga qershori i vitit 1999 e tutje, ishte lojtar kyç në çështjen e UÇK-së, ndërsa në ndërtimin e imazhit të Thaçit më parë morën pjesë James Rubin dhe Paul Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit shqiptar në Rambuje dhe gjithashtu dëshmitar në Hagë.”

Në pyetjen nëse Wesley Clark do të ketë ndonjë kufizim lidhur me dëshminë e tij, Maroeviq tha:

“Mendoj se do të ketë të njëjtat kufizime që kishin James Rubin dhe, të themi, Jack Covey, sepse atyre u është dhënë leje nga Departamenti i Shtetit dhe pas një informimi në Departament është vendosur saktësisht në çfarë mënyre do të zhvillohen ato dëshmi. Pra, ju duhet të keni lejen e Departamentit të Shtetit për të marrë pjesë në një proces të tillë në çfarëdo mënyre. Me shumë gjasë, Pentagoni ka bërë të njëjtën gjë me Wesley Clarkun. Mendoj se, nëse ekzistojnë kufizime, ne vështirë se do të mund t’i marrim vesh ndonjëherë.”

Sa i përket pyetjes nëse pas dëshmisë së Clarkut procesi gjyqësor do të përfundojë shpejt, ai thekson:

“Sipas asaj që kuptoj, gjatë pranverës priten vendimet përfundimtare. A është kjo realiste, do ta shohim. Mendoj se ky është një proces kompleks, mjaft i mbyllur në krahasim me Hagën e dikurshme, dhe nuk kemi pasur shumë raste, të paktën që dihet publikisht, ku dëshmitarët janë vrarë apo janë përballur me presione të papërballueshme. Nga kjo anë, prokuroria ka bërë një punë mjaft të mirë... Ka pasur kohë dhe burime të mjaftueshme për ta përgatitur rastin. Nga ana tjetër, edhe mbrojtja ka pasur kohë dhe burime të mjaftueshme, dhe ka sjellë figura të njohura nga diplomacia amerikane. Kështu që, do ta shohim përplasjen e këtyre dy botëve, të dy grupeve të argumenteve, dhe do të shohim se cila do të mbizotërojë”, thotë ai dhe shton.

“Nuk mendoj se dëshmia e Wesley Clarkut mund ta ndryshojë rrjedhën e vetë rastit. Mendoj se provat nga terreni janë gjëja kryesore. Prokuroria e ka ndërtuar të gjithë rastin mbi ngjarje konkrete dhe jo mbi rrëfime politike rreth atyre ngjarjeve. Prandaj është shumë e pasigurt se sa mund të peshojë teza që kanë shtyrë James Rubin dhe Jack Covey në krahasim me krimet reale që kanë ndodhur në terren. Pra, kjo mbrojtje po përballet me krime konkrete dhe përpiqet t’i kundërpërgjigjet me një narrativë politike. Është shumë e vështirë të parashikohet se si do të reagojë prokuroria ndaj gjithë kësaj. Nuk mund ta dimë për fat të keq”, përfundon Maroeviq.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hisni Gucati, beson se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark do të jetë tronditëse për përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe se mbrojtja ka bërë një punë të madhe duke arritur të sigurojë lejen që Clark të paraqitet në Hagë.

“Dëshmia e Clarkut do të jetë tronditëse për ta. Tronditëse, sepse është një sukses i madh që arritën ta bindin. Në Amerikë duhet të marrësh leje për të shkuar e për të dëshmuar. Ne i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i lejuan të dëshmojë dhe mezi presim ta dëgjojmë dëshminë e Clarkut më 19 nëntor”, tha Gucati.