Gërxhaliu: Ballkani Perëndimor përmes ekonomisë duhet të “rrënojë muret dhe të forcojë urat e bashkëpunimit”
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, deklaroi se popujt e Ballkanit Perëndimor duhet të “rrënojnë muret dhe të forcojnë urat e bashkëpunimit” përmes ekonomisë, ndërsa industria kreative është një mënyrë për të arritur këtë qëllim. Ai e sheh zgjidhjen edhe në distancimin e ekonomisë nga politika.
„Përmes ekonomisë kreative duhet në një mënyrë të rrënojmë muret që ndajnë dhe të forcojmë urat e bashkëpunimit. Këtu bëjnë pjesë kultura, filmi, letërsia, muzika... Të gjitha këto janë pjesë e të ashtuquajturës ekonomi kreative dhe duhet të mbështeten, të shfrytëzohen dhe të flitet për to. Në fund të fundit, pikërisht përmes ekonomisë kreative ndoshta do të ndikojmë psikologjikisht për të përmirësuar imazhin e Ballkanit Perëndimor dhe të mësojmë nga njëri-tjetri se nuk është vetëm lajmi i keq – lajmi i mirë,“ tha Gërxhaliu për Kosovo online.
Duke theksuar se Procesi i Berlinit është “gjëja më e mirë që i ka ndodhur Ballkanit Perëndimor” në 25-26 vitet e fundit, ai shtoi se deklarata e nënshkruar së fundmi për forcimin e ekonomisë kreative është vetëm një segment i kësaj iniciative që synon pajtimin e popujve të rajonit.
„Nuk është fjala vetëm për dimensionin ekonomik, por edhe për atë politik, kulturor, muzikor… Në këtë kontekst po tentohet që bashkëpunimit ekonomik t’i shtohet një dimension tjetër. Jetojmë në kohën e digjitalizimit, në një rend të ri botëror që quhet ‘trampizëm’, dhe prandaj mendoj se është mirë të shfrytëzojmë ekonominë përmes metodave dhe modeleve kreative, që jo vetëm të njohim vetveten, por edhe kulturat e njëri-tjetrit, dhe në këtë mënyrë të jemi më të vetëdijshëm për vlerat e vendeve të Ballkanit Perëndimor,“ vlerësoi Gërxhaliu.
Gjithsesi, ky analist ekonomik paralajmëron se problemi i rajonit është se ka shumë marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar.
Ai e sheh zgjidhjen në "distancën nga politika dhe ndërhyrjet politike".
"Mendoj se brezi i ri e pranon kreativitetin shumë më mirë në çdo kontekst. Dhe kjo është arsyeja pse, me mbështetjen e qeverisë rajonale ose të donatorëve të huaj, ajo ekonomi krijuese mund të jetë një urë afrimi dhe ndërtimi besimi midis njerëzve. Dhe, përmes këtij besimi, mund të ndodhë procesi dhe afrimi me BE-në, që është qëllimi i çdo vendi në Ballkanin Perëndimor", theksoi Grërxhaliu.
komentet