Kadriaj: Investitorët e huaj nuk janë të interesuar për Kosovën për shkak të destabilitetit politik

Mustafa Kadriaj
Burim: Kosovo Online

Eksperti i ekonomisë nga Prishtina Mustafa Kadriaj thotë se kur është fjala për investimet e huaja në Kosovë, më shumë kanë investuar Gjermania dhe Turqia por thekson se investimet janë të pakta si pasojë e politikës së keqe të qeverisë.

Kadriaj sqaron se këtë vit Kosova ka qenë e tronditur nga problemet politike të cilat kanë patur ndikim tek ekonomia.

“Besoj se investitorët e huaj nuk kanë qenë të interesuar pasi situata politike përherë ka diktuar ekonominë dhe si rezultat i kësaj, pesha bie mbi pushtetin që nuk ka punuar në thithjen e investitorëve” ka thënë Kadriaj për Kosovo onlajn.

Ky i fundit bën të ditur se investimet në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Turqia po që nuk janë në nivel të lakmueshëm.

“Nëse flasim rreth investitorëve, ata kryesisht kanë qenë nga Gjermania dhe Turqia por vitet e fundit investimet kanë qenë të dobëta pasi qeveria aktuale nuk ka patur asnjë interes për pjesën e zhvillimit ekonomik. Më shumë ka investuar tek politikat sociale të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme. Nga lufta në Kosovë, numri i investitorëve të huaj është përafërsisht i ulët në katër vitet e fundit. Shpresoj që kushdo qeveri që do vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 2025, të ndryshojë kursin për këtë çështje” ka thënë Kadriaj.