Shahini: Problemi i importit të mallrave serbe është artificial, zgjidhja duhet të gjendet brenda kornizës së CEFTA-s

Kryetari i Aleancës së Biznesit të Kosovës, Agim Shahini, vlerëson se çështja e importit të mallrave serbe në Kosovë, e cila nuk është zgjidhur plotësisht, për shkak se kalimi i mallrave është ende i mundur vetëm përmes vendkalimit Merdar, është një problem artificial.
"Alianca e Biznesit të Kosovës ka qenë gjithmonë për hapjen e të gjitha pikave kufitare për qarkullimin e mallrave dhe për të mos krijuar tollovi. Në Merdar ka kolona prej 10, 15, deri në 20 kilometra, shoferët ende presin me ditë të tëra, dhe kjo rrit kostot e transportit të mallrave. Është e papranueshme që shoferët të qëndrojnë aty për dy ose tre ditë për të ardhur këtu, kjo tashmë është shumë e vështirë," thotë Shahini.
Ai thekson se Aleanca e Biznesit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës liberalizimin e tregut dhe se qeveria ka premtuar se gjithçka do të jetë në rregull pasi të mbërrijnë skanerët që përdoren për kontrolle kufitare.
"Megjithatë, ata skanerë ende nuk janë të disponueshëm dhe tollovi po bëhen më të mëdha çdo ditë, ashtu si edhe kostot. Prandaj, Kosova dhe të gjitha vendet në kuadër të CEFTA-s duhet të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e këtij problemi. Ne presim që të ketë skanerë, por nuk e dimë se kur, sepse nëse nuk kemi skanerë në pikat e tjera kufitare, pse duhet t'i kemi vetëm në këtë? Ne si Aleancë e Biznesit të Kosovës dëshirojmë të heqim të gjitha ndalesat dhe të lejojmë që mallrat dhe kapitali të lëvizin pa problem në të dy drejtimet”, thekson Shahini.
Sipas fjalëve të tij, Cefta nuk është marrë me këtë problem dhe Serbia, siç duket, nuk ka pasur ndonjë kërkesë të veçantë nga Kosova për ta zgjidhur këtë sa më shpejt.
“Kjo çështje duhet të zgjidhet brenda CEFTA-s dhe brenda Bashkimit Evropian. Mirëpo, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është ende problem më i madh se problemi i kalimit dhe ka mundësi që është marrë vesh që kjo histori të futet në kuadër të dialogut”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
0 komentet