Telekom Serbia: Prishtina po tenton ta shfuqizojë kompaninë MTS d.o.o
Telekom Serbia ka njoftuar se sot i është dorëzuar asaj kompanie vendimi i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Prishtinë (ARBK) i marrë më 31 korrik 2023, me të cilin shfuqizohet kompania MTS doo, por edhe se ky vendim është ende i pazbatueshëm, transmeton Politika.
“Ai vendim është faktikisht dhe juridikisht i pabazuar dhe në kundërshtim me parimet evropiane, standardet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe paraqet shkelje të qartë të sundimit të ligjit dhe shkel marrëveshjet e konfirmuara ndërmjet Serbisë, Prishtinës dhe BE-së”, thuhet në njoftimin e Telekomit.
Ky veprim bazohet, siç thuhet, në një shpjegim krejtësisht absurd që pretendon se një anëtar i menaxhmentit të kompanisë ka pasaportë të lëshuar nga Republika e Serbisë, edhe pse në të gjitha dokumentet zyrtare “të gjithë anëtarët e menaxhmentit përdorin dokumentet e institucioneve të përkohshme në përputhje me me Marrëveshjen e Brukselit”.
“Pyetja është se cila është logjika e mbylljes së një kompanie për shkak se një nga drejtuesit sipas kritereve të pabazuara ka pretenduar mangësi në dokumentet e tij personale”, thonë nga Telekomi.
MTS doo është themeluar në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për Telekomunikacion (8 shtator 2013) dhe është një kompani që është 100 për qind në pronësi të Telekomit Serbia dhe si e tillë funksionon për gati një dekadë.
“Përkundër spekulimeve të mediave të ndryshme për mbylljen e mundshme të MTS, duam të theksojmë se vendimi në fjalë është ende i pazbatueshëm”, thekson Telekom.
Telekom gjithashtu thekson se ka të drejtë të paraqesë ankesë në ARBK në afat prej 30 ditësh, gjë që synon ta bëjë.
“Telekom Serbia do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe Metohi që përdorin shërbimet e saj dhe të më shumë se 250 punonjësve”, thuhet në njoftim.
0 komentet