Alberta në referendum edhe për shkëputjen nga Kanadaja: Qytetarët më 19 tetor u përgjigjen dhjetë pyetjeve
Banorët e provincës kanadeze të Albertës do të deklarohen më 19 tetor në një referendum për dhjetë pyetje, ndër të cilat është edhe ajo për mundësinë e nisjes së procedurës kushtetuese dhe ligjore për shkëputjen nga Kanadaja. Këtë herë, qytetarët nuk do të vendosin drejtpërdrejt për pavarësinë e Albertës, por nëse qeveria e saj duhet të nisë procedurën që mund të çojë në një votim të tillë.
Referendumi në Alberta do të mbahet më 19 tetor, ndërsa votuesit do t'u përgjigjen dhjetë pyetjeve që qeveria provinciale i ka formuluar në bazë të rekomandimeve të panelit „Alberta është e radhës“, pas konsultimeve me qytetarët, ekspertët dhe përfaqësuesit e fushave të ndryshme.
Siç është publikuar në portalin e referendumit, pyetjet janë ndarë në tri grupe: pesë të parat kanë të bëjnë me politikën e imigracionit dhe qasjen në shërbimet publike, katër të tjerat me ndryshimet e Kushtetutës kanadeze dhe rishpërndarjen e kompetencave ndërmjet autoriteteve federale dhe provinciale, ndërsa pyetja e dhjetë ka të bëjë me mundësinë e nisjes së procedurës për mbajtjen e një referendumi detyrues për shkëputjen e Albertës nga Kanadaja.
Çfarë do të thotë konkretisht pyetja për shkëputjen?
Pyetja e dhjetë e referendumit është: „A duhet Alberta të mbetet provincë e Kanadasë apo qeveria e Albertës duhet të nisë procedurën ligjore të parashikuar nga Kushtetuta e Kanadasë për mbajtjen e një referendumi detyrues provincial lidhur me atë nëse Alberta duhet të shkëputet nga Kanadaja?“
Votuesit do të mund të zgjedhin njërën nga dy mundësitë: që Alberta të mbetet pjesë e Kanadasë ose që qeveria e saj të nisë procedurën ligjore të nevojshme për mbajtjen e një referendumi të ardhshëm detyrues për shkëputjen.
Kjo do të thotë se votimi i 19 tetorit nuk do të vendosë drejtpërdrejt për pavarësinë e provincës. Nëse shumica mbështet nisjen e procedurës, qeveria duhet të ndërmarrë hapat ligjorë për organizimin e një referendumi të veçantë, në të cilin do të vendosej për vetë shkëputjen nga Kanadaja.
Kjo qasje lidhet edhe me një vendim gjyqësor, sipas të cilit një referendum detyrues për shkëputjen nuk mund të mbahet pa konsultime paraprake me pjesëtarët e popujve autoktonë lidhur me pasojat e mundshme për të drejtat e tyre që burojnë nga traktatet me shtetin kanadez.
Qeveria e Albertës e kundërshton këtë vendim dhe ka paraqitur ankesë, por ai, derisa të shfuqizohet ose ndryshohet, përbën pengesë për mbajtjen e menjëhershme të një referendumi detyrues për shkëputjen.
Për këtë arsye, qeveria provinciale ka vendosur t'u mundësojë qytetarëve të deklarohen për nisjen e procedurës, në vend që të presë përfundimin e një procesi të gjatë gjyqësor, thuhet në portalin e referendumit në Alberta.
Nëse votuesit mbështesin pyetjen e dhjetë, kjo nuk do të thotë automatikisht se Alberta bëhet shtet i pavarur. Do të pasonin hapat e nevojshëm ligjorë dhe kushtetues për mbajtjen e një referendumi të veçantë detyrues, krahas zgjidhjes së çështjeve që janë ende në shqyrtim para gjykatave.
As mbështetja eventuale për pavarësinë në një referendum të ardhshëm nuk do të nënkuptonte, në vetvete, se procesi i shkëputjes ka përfunduar. Shkëputja do të hapte çështje të tjera kushtetuese dhe ligjore brenda sistemit kanadez.
Qeveria e Albertës, e udhëhequr nga kryeministrja Danielle Smith, zyrtarisht u bën thirrje qytetarëve të mbështesin qëndrimin e provincës brenda Kanadasë dhe të angazhohen për kompetenca më të gjera në kuadër të një shteti të bashkuar. Njëkohësisht, përmes referendumit synon të marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë nga qytetarët për drejtimin në të cilin duhet të zhvillohen marrëdhëniet me pushtetin federal.
Ndryshe, pesë pyetjet e para të referendumit kanë të bëjnë me imigracionin dhe kushtet për shfrytëzimin e shërbimeve publike.
Pyetjet nga e gjashta deri te e nënta kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese që do t'i mundësonin Albertës dhe provincave të tjera një autonomi më të madhe në raport me pushtetin federal.
Edhe pse çështja e shkëputjes është më e rëndësishmja për nga pasojat afatgjata ndër të dhjetë pyetjet, referendumi përfshin edhe një sërë propozimesh konkrete që mund të ndryshojnë marrëdhëniet ndërmjet institucioneve provinciale dhe atyre federale. Prandaj, rezultati i votimit do të jetë një tregues i rëndësishëm jo vetëm i mbështetjes për idetë separatiste, por edhe i qëndrimit të qytetarëve ndaj autonomisë më të madhe të Albertës brenda Kanadasë, përfundon portali i referendumit.
Për referendumin dhe lëvizjen që angazhohet për pavarësinë e Albertës, Kosovo online kishte shkruar që në dhjetor të vitit të kaluar, kur komisioni zgjedhor miratoi nismën qytetare me të cilën kërkohej votimi për shkëputjen nga Kanadaja. Atëherë, grupi separatist „Projekti i Prosperitetit të Albertës“ mori mundësinë të mblidhte nënshkrime për pyetjen nëse provinca duhet të pushojë së qeni pjesë e Kanadasë dhe të bëhet shtet i pavarur.
Në të njëjtën kohë, nisma kundërshtare „Alberta Përgjithmonë Kanada“ angazhohej për qëndrimin e provincës brenda vendit. Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e referendumit, rreth 700.000 banorë kishin nënshkruar njërin nga dy peticionet që lidheshin me çështjen e qëndrimit në Kanada ose të shkëputjes.
Siç kishte raportuar gjithashtu Kosovo online, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, dhe popujt autoktonë e kundërshtojnë fuqishëm referendumin për shkëputjen e Albertës. Carney pohon se Alberta është „e domosdoshme për Kanadanë“.
Për pozitën e Albertës në Kanada, për Kosovo online kishte shkruar edhe gazetari Zhelko Shajn, i cili kishte vënë në dukje se në Kanada, prej dekadash, zhvillohet një mosmarrëveshje politike dhe ekonomike ndërmjet Albertës dhe pushtetit federal në Otavë. Në qendër të saj janë sektori energjetik, të ardhurat nga burimet natyrore, kompetencat e provincës dhe çështja se deri në çfarë mase pushteti federal mund të ndikojë në zhvillimin dhe eksportin e pasurive që zotëron Alberta.
komentet