Gjykata në Hagë: Shpallja e vendimit për ish krerët e UÇK do të jepet më 16 shtator
Odat e Specializuara të Kosovës në Hagë deklaruan se vendimi ndaj ish liderëve të UÇK Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit do të shpallet më 16 shtator.
Fillimisht vendimi ishte planifikuar të shpallej më 20 korrik.
Gjykata spegoi se në përputhje me Rregulloren, konsideroi se zgjatja ishte absolutisht e domosdoshme nga kompleksiteti i çështjes dhe sasisë së provave që gjykata duhej të merrte parasysh.
Gjykata mori provat e afërsisht 270 dëshmitarëve (me gojë e shkrim), pranoi 5,467 prova, ndërsa transkripti i seancës gjyqësore ka 29,238 faqe.
Për këtë arsye, gjykata konsideroi se zgjatja është e justifikuar nga nevoja për të siguruar vlerësim të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të arsyetuar të materialit provues dhe kërkesën për mendim të arsyetuar në formë të shkruar që pasqyron me saktësi atë të dhënë, shtohet në deklaratë.
Vendimi do të jepet më 16 shtator në orën 10:00 dhe seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në faqen e internetit të Odave të Specializuara në shqip, sërbisht dhe anglisht ose nga galeria e vizitorëve në gjykatë.
Ish liderët e UÇK Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në Hagë qysh prej nëntorit të vitit 2020 nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
0 komentet