Gjykata Speciale: Thaçi po shkel kushtet e paraburgimit, të mundshme masa më të rrepta
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan sot se Hashim Thaçi, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa ndaj tij po zhvillohet edhe një procedurë për pengim të drejtësisë dhe tentativë për ndikim mbi dëshmitarët, po i shkel vazhdimisht kushtet e ndryshuara të paraburgimit. Sipas Gjykatës, është e mundur të vendosen masa më të rrepta nëse ai vazhdon të mos bashkëpunojë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Trupi Gjykues dje nxori një urdhër me të cilin ia rikujtoi Hashim Thaçit kushtet e ndryshuara të qëndrimit të tij në paraburgim, si dhe të gjitha rregullat dhe dispozitat e tjera që rregullojnë regjimin e paraburgimit.
Përveç kësaj, Trupi Gjykues urdhëroi edhe mbrojtësit e Thaçit që ta rikujtojnë atë për detyrimet që ka në këtë drejtim.
“Në bazë të raporteve të rregullta të Sekretarit të Gjykatës, Trupi Gjykues ka konstatuar se Hashim Thaçi po i shkel vazhdimisht kushtet e ndryshuara të paraburgimit, si dhe rregullat dhe dispozitat e tjera përkatëse që rregullojnë paraburgimin. Nëse ai vazhdon të mos bashkëpunojë, Trupi Gjykues do të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së masave më të rrepta për të siguruar respektimin e urdhrave”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata njoftoi dje se aktgjykimi në çështjen kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, do të shpallet më 16 shtator, në vend të 20 korrikut, siç ishte paraparë fillimisht.
0 komentet