Alija: Nuk do të ketë shtyrje të aktgjykimit në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Amer Alija
Burim: Kosovo Online

Juristi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se nuk do të ketë shtyrje të aktgjykimit në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve dhe se Dhomat e Specializuara të Kosovës do ta respektojnë afatin e caktuar për aktgjykimin e shkallës së parë.

“Nëse flasim për rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve që akuzohen për krime lufte, siç e dimë, shqyrtimi kryesor tashmë ka përfunduar dhe nuk ka më prova të reja. Megjithatë, pamë që muajin e kaluar mbrojtja u ankua se gjykata ka publikuar disa prova të reja”, thotë Alija dhe vazhdon.

“Por nuk bëhet fjalë për prova të reja, por për prova që tashmë janë në sistem. Siç e dimë, gjykata për këtë çështje ka marrë vendim dhe ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për prova të reja, por se gjykata tashmë është duke punuar në analizimin dhe hartimin e aktgjykimit të shkallës së parë.”

Alija vlerëson se aktgjykimi nuk do të shtyhet.

“Kjo nuk mund ta shtyjë aktgjykimin, sepse nuk janë prova të reja. Afati për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë është i paraparë me rregulloren që përdor gjykata. Brenda 90 ditësh gjykata duhet ta shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, por mund të kërkojë një afat shtesë prej 60 ditësh nëse vlerëson se rasti është i ndërlikuar dhe se trupit gjykues i nevojitet më shumë kohë për të analizuar të gjitha provat. Në atë rast, afati mund të zgjatet në gjithsej 150 ditë, brenda të cilave pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.