Gucati: Faleminderit SHBA-së që i lejoi Clarkut të dëshmojë në Hagë

Gucati
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hisni Gucati, beson se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark do të jetë tronditëse për përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe se mbrojtja ka bërë një punë të madhe duke arritur të sigurojë lejen që Clark të paraqitet në Hagë.

“Dëshmia e Clarkut do të jetë tronditëse për ta. Tronditëse, sepse është një sukses i madh që arritën ta bindin. Në Amerikë duhet të marrësh leje për të shkuar e për të dëshmuar. Ne i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i lejuan të dëshmojë dhe mezi presim ta dëgjojmë dëshminë e Clarkut më 19 nëntor”, tha Gucati.

Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark ishte në krye të forcave të NATO-s gjatë bombardimeve të Serbisë në vitin 1999.

Ai do të jetë gjithashtu dëshmitari i fundit i mbrojtjes që do të paraqitet për të dëshmuar në favor të Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së, të cilët aktualisht po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar më herët se ish-komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, do të nisë dëshminë më 18 nëntor, ndërsa 21 nëntori është caktuar si datë rezervë për seancën e tij të dëgjimit.