Nastiq: Gjermania shkel Rezolutën 1244 - nevojitet presioni ndaj Prishtinës, dhe jo gjithmonë të kërkohet fajtori në Serbi

Beograd_231106_Žaklin Nastić 06
Burim: Kosovo Online

Gjermania duhet të insistojë që Prishtina të respektojë angazhimet e saj, siç është Bashkiësia e Komunave Serbe, si dhe të punojë për deeskalimin, në vend që, si më parë, të kërkojmë fajtorin për gjithçka në anën e Serbisë, ka bërë të ditur Zhaklin Nastiq, deputet i Bundestagut gjerman në një intervistë për Kosovo online.

Gjermania dhe vendet e tjera po shkelin Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thotë Nastiq, duke vënë në dukje standardet e dyfishta - në vend që të deeskalojnë situatën, ata po mbështesin politikën "raciste" të Prishtinës, qëllimi i së cilës është të krijojë një "Shqipëri të madhe".

Si e shihni situatën në Kosovë, sidomos pas ngjarjeve në Banjskë?

E konsideroj jashtëzakonisht të vështirë, sidomos pas ngjarjeve në Banjskë. Ngjarjet në Banjskë i vlerësoj ndryshe nga shumë vende dhe nga Prishtina. Kishte një arsye që mund të kishte ndodhur. Që kur Albin Kurti është në pushtet në Prishtinë, situata është përshkallëzuar masivisht. Politika e tij ishte e drejtuar drejt eskalimit, në mbështetje të kësaj është edhe mospranimi i zbatimit të marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 lidhur me Bashkësinë e Komunave Serbe. Ngjarja në Banjskë, e cila duhet dënuar, po përdoret për të penguar themelimin e BKS-së, edhe pse Prishtina është obliguar për këtë me marrëveshje. Nuk mendoj se në këto rrethana Prishtina do të përmbushë kërkesën e BE-së për themelimin e BKS-së. Mendoj se vendet që mbështesin Prishtinën po e shfrytëzojnë ngjarjen në Banjskë për ta vënë këtë çështje nën tavolinë. Shumë vende, për fat të keq, përfshirë Gjermaninë, e përdorin atë ngjarje kundër Serbisë dhe nuk e marrin parasysh se si ndodhi. Kjo është për keqardhje. Kur dëgjoj nga Prishtina se e dinin me muaj se po përgatiteshin aktivitete të tilla, më duhet të pyes - pse nuk kanë bërë diçka me kohë për ta parandaluar.

Çfarë nevojitet për deeskalimin?

Patjetër do t'i bëj thirrje Prishtinës që të mos kontribuojë në eskalimin e mëtejshëm të situatës. Shihet se pjesëtarët e pakicave, veçanërisht serbët po largohen nga Kosova. Isha në Kosovë dhe pashë që numri i sulmeve etnike është rritur ndjeshëm. Fëmijët u qëlluan në prag të Krishtlindjeve. Nevojitet një deeskalim. Komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria gjermane duhet të kërkojnë që Prishtina të ndalojë eskalimin, në vend që të kërkojë fajtorin në Serbi.

BE-ja është e vendosur që çështjen e Kosovës ta zgjidhë sa më shpejt, Gjermania është më urgjente për këtë çështje. Mbi të gjitha, dëshiron të zgjidhet përmes njohjes. Pse është kështu?

Unë nuk ndaj mendimin e qeverisë gjermane. Në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, Kosova u nda nga Serbia gjatë luftës së NATO-s. Tani, kur kemi një luftë në Ukrainë, Gjermania vazhdimisht bën thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar. Ai ligj ndërkombëtar duhet të zbatohet për të gjithë, duke përfshirë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Kjo është ajo që thotë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe disa vende, veçanërisht Gjermania, po e shkelin atë Rezolutë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron të përmbushë asgjë që është rënë dakord, e as BKS. Gjermania duket se e sheh këtë më së paku ose nuk dëshiron ta shohë. A është kështu?

Fatkeqësisht, kështu është. Por, kur shikon zhvillimin e konfliktit, në vitin 1999 Gjermania me ministrin nga radhët e të Gjelbërve, Joshko Fisher, detyroi një sulm ndaj RFJ-së, dhe atë "traditë" të të Gjelbërve po e vazhdon tani ministrja Analena Berbok. Do të ishte e rëndësishme për të deeskaluar situatën, jo për të punuar në të. Zbatohen standarde të dyfishta. Në vend të kësaj, ajo mbështet, mund të them lirisht, politikën raciste të Prishtinës, e cila synon të krijojë një "Shqipëri të madhe". Ky synim u bë mjaft i qartë pas vizitës së Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Kur isha në Kosovë në fund të marsit, pashë vetëm flamuj shqiptarë dhe më duhej të pyesja, kur ekziston Kosova, pse Shqipëria është e pranishme kudo, si dhe narrativa e “Shqipërisë së madhe”. Është për të ardhur keq që qeveria gjermane mbështet një politikë të tillë. Unë kurrë nuk e kam njohur pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë e kam dënuar Gjermaninë për këtë, sepse ajo ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Kemi deklarata nga Gjermania se ekziston rreziku i shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. A i shihni ngjarjet aktuale në botë - në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, si fillim të një lufte të tillë apo janë thjesht konflikte rajonale?

Rreziku është i madh, padyshim. Sidomos për shkak të dërgesave të armëve nga Gjermania. Pas SHBA-së, Gjermania është furnizuesi më i madh i armëve në Ukrainë. Duke marrë parasysh historinë e Gjermanisë, është e frikshme të shohësh tanke dhe armë nga Gjermania që dërgohen në Lindje. Mendoj se duhet dënuar. Problemi është se askush nuk avokon për diplomaci, por për armatim dhe pas kaq muajsh shohim se armët nuk kanë kontribuar për paqen, por vetëm e kanë zgjatur luftën. Prandaj besoj se përpjekjet dhe deklaratat e vendeve si Kina apo Brazili që kërkojnë një zgjidhje diplomatike dhe negociata duhen mirëpritur. Ajo që po bën Gjermania është jashtëzakonisht e rrezikshme. Gjermania dhe vendet evropiane janë fqinjë të Rusisë dhe ne kemi interesa të ndryshme nga SHBA. Prandaj ne si evropianë duhet të përpiqemi të jetojmë në paqe edhe me Rusinë. Duhet të kemi parasysh edhe se si ka ardhur lufta dhe duhet përmendur zgjerimi i NATO-s në lindje dhe në lidhje me këtë edhe shkeljen e premtimit të bërë ndaj BRSS-së së atëhershme. Shumë politikanë perëndimorë dhe gjermanë mohojnë se kishte premtime se NATO nuk do të zgjerohej në kufijtë e Rusisë, por ato ekzistonin dhe ka konfirmime për këtë. Është shumë e qartë se askush nuk do të toleronte tanke të huaja dhe një aleancë ushtarake në kufirin e tyre. Këtë nuk e toleron as SHBA.