Petriç: Sorensen ka nevojë për mbështetje të fortë nga Brukseli, por edhe nga Berlini dhe Parisi për të pasur sukses

Volfgang Petrič
Burim: Kosovo Online

I dërguari i ri i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është një diplomat me përvojë dhe ndërmjetësues serioz, por për të pasur sukses në atë pozicion ai ka nevojë për mbështetje të fortë nga Brukseli, por edhe nga Berlini dhe Parisi dhe kryeqytetet e vendeve të tjera anëtare të BE-së, thotë Volfgang Petriç, i cili ishte i dërguari special i BE-së për Kosovën në fund të viteve 1990, në një intervistë për Kosovo online. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e fundit në Kosovë, Petriç – duke marrë parasysh deklaratat e aktorëve politikë – bën një paralele me situatën në Austri dhe vëren se askush nuk dëshiron të hyjë në koalicion me fituesin. Ai këshillon një qeveri shumëpartiake, me përfshirjen e komunitetit serb.

“Unë e njoh Sorensen personalisht, mendoj se ai është një diplomat me shumë përvojë. Sigurisht, njohja e 'gjuhës sonë' nuk është forca e tij, siç ishte rasti me Miroslav Lajçak. Por, unë besoj se Sorensen është një ndërmjetës serioz. Megjithatë, ai ka nevojë për mbështetje të plotë politike nga Brukseli, por edhe nga qytetet kryesore, si Berlini dhe Parisi”, thekson Petriç.

Ai beson se Lajçakut i ka munguar pikërisht kjo – mbështetja reale politike e përfaqësuesit të lartë, paraardhëses së Kaja Callas, Xhozep Borelli.

"Shpresoj që Kallas, e cila tani, kuptohet, është plotësisht e fokusuar në luftën në Ukrainë, do të gjejë ende kohë për të përdorur peshën e saj politike për përparim të shpejtë në këtë çështje. Vetëm atëherë Sorensen do të ketë një shans për të përparuar. Ai është një diplomat me përvojë, por ka nevojë për peshën politike të BE-së. Nëse nuk ka një gjë të tillë, nuk mund të bisedohet me Kurtin dhe as të bëhet progres me Beogradin”, është i bindur Petriç.

Ai deklaroi se për shkak të situatës së vështirë gjeopolitike, veçanërisht luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, duhet kërkuar mbështetje nga BE-ja për një zgjidhje, me shpresën se SHBA-të do të qëndrojnë pas saj. Por, nga ana tjetër, edhe palëve në dialog duhet t'u kërkohet të ecin drejt normalizimit, siç është rënë dakord 10 vjet më parë.

I pyetur nëse BE-ja ka ende fuqi në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në dialog, duke qenë se është e ekspozuar ndaj kritikave nga SHBA-ja dhe Donald Tramp, Petriç shprehet se për shkak të distancimit, të iniciuar në mënyrë të njëanshme nga Uashingtoni dhe kritikave ndaj Evropës, Bashkimi Evropian është duke u dobësuar.

“Bashkimi Evropian nuk është shtet. Me 500 milionë banorë jemi treg i madh dhe faktor i rëndësishëm ekonomik, por ka përçarje mes anëtarëve dhe kjo e dobëson BE-në. Kjo nuk e bën më të lehtë punën në Ballkanin Perëndimor”, përshkruan Petriç.

Sipas tij, ndoshta duhet të ketë dëshirë, sidomos në Beograd, që në mënyrë konstruktive të avokohet për gjetjen e një zgjidhjeje për serbët në Kosovë, sepse është interes i natyrshëm i Serbisë që serbët në Kosovë më në fund të kenë një jetë më të mirë.

Duke folur për atë se çfarë duhet të bëjë Prishtina për të arritur një zgjidhje konstruktive, veçanërisht duke marrë parasysh mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, Petriç dërgon qartë mesazhin se është rruga e gabuar të mendohet se masat e njëanshme do të zgjidhin problemet.

“Kjo nuk i zgjidh problemet e qytetarëve. Qytetarët nuk presin unilateralizëm, por zgjidhje të drejta. Sigurisht që veriu i Kosovës mbetet pjesë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, për shkak të shumicës serbe, ka nevojë të shtuar për veprime të caktuara të pavarura. Institucionet janë aty për njerëzit. Nëse atje jetojnë serbët, atëherë institucionet duhet të plotësohen me serbë”, thekson pa mëdyshje Petriç.

I pyetur nëse Serbia duhet të ketë mundësi t'i ndihmojë serbët në Kosovë financiarisht, ai u përgjigj se gjithçka është e mundur përderisa bëhet në mënyrë transparente.

“Ka pasur disa aktivitete fatkeqe në të kaluarën, por kjo për shkak se problemi nuk është zgjidhur”. Dhe përderisa ky është rasti dhe Kurti duhet ta ketë veçanërisht parasysh këtë, do të ketë përpjekje nga Beogradi për të ndihmuar komunitetin serb, gjë që nuk po pranohet me miratim në Prishtinë. Prandaj gjetja e një zgjidhjeje kompromisi dhe të qëndrueshme duhet të jetë një motivim edhe më i madh për Prishtinën”, tha Petriç.

I pyetur nëse Bashkësia e Komunave Serbe është zgjidhja e këtyre problemeve, ai thotë se “në thelb është kështu”.

"Kanë kaluar 10 vjet që kur të dy palët nënshkruan me këtë ide dhe qeveritë duhet t'i përmbahen asaj." Do të jetë më e vështirë me Kurtin, por ai do të ishte mirë që, nëse formon një qeveri të re, ta bënte atë projekt prioritet. Unë jam i mendimit se ajo zgjidh gjithashtu të gjitha çështjet e tjera të lidhura, si zhvillimi ekonomik, ndalimi i emigrimit, krijimi i vendeve të punës... nëse ka një situatë të rregulluar institucionalisht," tha Petriç.

Kur është fjala për zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, ai thotë se rezultati ishte i pritshëm.

Ai sqaron se Kurti është ende figura më e fortë e komunitetit shqiptar në Kosovë, por mbështetja po zbehet, gjë që, sipas tij, është një zhvillim normal në një demokraci, duke përmendur si shembull Austrinë.

“Një paralele tjetër me Austrinë është se padyshim asnjë parti tjetër nuk dëshiron të bëjë koalicion me të. Ky është një minus për kreun e partisë. Këtë e shohim edhe në Austri, ku partia ekstremiste e djathtë nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri”, krahason Petriç.

Pa dashur të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, ai këshillon që opozita të përpiqet të bashkëpunojë dhe të formojë qeveri.

Ai po ashtu thekson se do të ishte e rëndësishme që komuniteti serb të përfshihet, por edhe komunitetet tjera të ndjehen të përfaqësuara në një qeveri të tillë shumëpartiake.

"Arsyeja pse unë favorizoj një qeveri shumëpartiake është se Kosova ka nevojë për një gatishmëri për kompromis. Gatishmëria e brendshme për kompromis, mbi të gjitha, përtej kufijve etnikë. Natyrisht, gatishmëria për kompromis për riangazhimin në dialog me Beogradin, në një dialog produktiv”, tha Petriç.

I pyetur për faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkeqësuar marrëdhëniet me SHBA-në për shkak të masave të njëanshme që ka zbatuar, ai thekson se, nga këndvështrimi i interesave politike të Kosovës, Kurti ka humbur SHBA-në si mbështetësin kryesor historik të Kosovës së pavarur, që për të personalisht paraqet problem politik dhe disfatë.

Ai nuk guxon të vlerësojë nëse palët e tjera do të jenë në gjendje të bisedojnë më mirë me Donald Tramp apo të dërguarin e tij special Riçard Grenell, por ai përsëri nënvizon rëndësinë e kompromisit.

"Një vend i vogël duhet të dëgjojë partnerët e tij më të mëdhenj.Ky është një parakusht për përparimin e të gjithë rajonit, veçanërisht në dialog”, shtoi Petriç.

I pyetur nëse Tramp mund të ofronte një marrëveshje të re të Uashingtonit, duke qenë se një marrëveshje e tillë u nënshkrua gjatë mandatit të tij të parë, Petriç kujton se Tramp nuk ishte i suksesshëm atëherë, për shkak të rezistencës së Kurtit.

Ai thotë se kjo ka kontribuar që Uashingtoni ta shohë Prishtinën më skeptik se më parë.

“Në situatën e vështirë në të cilën ndodhet bota, duhet të kujdesemi që së pari të gjendet një zgjidhje politike, themelore. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Sido që të jetë definuar, është çështje dialogu dhe është çështje e rëndësishme për Evropën, sepse Kosova dhe Serbia dhe i gjithë rajoni janë në Evropë dhe duan të jenë pjesë e BE-së. Për këtë arsye ndërhyrja nga jashtë, nga Shtetet e Bashkuara, mund të shihet si problematike, si dhe ndërhyrje nga Moska”, vlerëson Petriç.

Ai beson se duhet të bëhet përparim i ri në dialog nën udhëheqjen e re të BE-së.

"Evropa duhet të qëndrojë më e fortë. Kjo vlen për çështjet ekonomike dhe politike, për rendin e ardhshëm që duhet të mbizotërojë në Ballkanin Perëndimor. Dhe pastaj janë hapat e tjerë, për të cilët Aleksandar Vuçiq ka folur vazhdimisht - rrugën e Serbisë drejt BE-së. Dhe Kosova gjithashtu dëshiron të bëhet anëtare e BE-së në të ardhmen. Fokusi tani duhet të jetë te bashkimi. Përbashkësia ekonomike është një qasje e mirë, por ka një marrëveshje bazë si parakusht”, shpjegon Petriç.

I pyetur se çfarë do të thotë tërheqja e ushtrisë amerikane nga Evropa, veçanërisht për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, ai u përgjigj se kjo lëvizje do të dobësonte SHBA-në, duke vlerësuar se Tramp dhe bashkëpunëtorët e tij kanë anashkaluar se prania në Evropë do të thotë shumë edhe për SHBA-në.

“Nga këndvështrimi amerikan, të thuash se po tërhiqemi nuk do të ishte një zgjidhje e mirë për ta. Për Evropën, ky do të ishte fillimi i vështirësive, por edhe një nxitje për t'u zhvilluar drejt një Bashkimi të gatshëm për të mbrojtur veten. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se Beogradi dhe Prishtina kanë përgjegjësinë për të arritur një marrëveshje. Ajo marrëveshje, normalizimi i situatës do të nënkuptonte edhe forcimin e Evropës”, ​​përfundoi Petriç.