Italia dhe Ballkani Perëndimor – një zgjedhje strategjike për Evropën
Forca politike e kontinentit tonë në dekadat e ardhshme do të varet nga anëtarësimi i vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Ky është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik i kohës sonë, sepse siguria, konkurrueshmëria dhe zgjerimi tashmë janë të pandashme: pa përfundimin e ribashkimit të Evropës, Bashkimi Evropian nuk do të arrijë kurrë përmasat e nevojshme për të konkurruar në botën e sotme.
Ballkani është pjesë e historisë, gjeografisë dhe perspektivës politike evropiane. Italia e ka bërë atë një nga shtyllat e veprimit të saj diplomatik: si një vend adriatik dhe mesdhetar, ne e dimë mirë se siguria e deteve tona varet edhe nga stabiliteti i rajonit.
Për këtë arsye, ne mbështesim fuqimisht përshpejtimin e rrugës evropiane të rajonit, me qëllim që familja evropiane të ribashkohet dhe të zgjerohet hapësira për paqe dhe mundësi të reja.
Angazhimi i Italisë konkretizohet përmes një pranie të gjerë diplomatike dhe një dialogu të vazhdueshëm politik: që nga viti 2022, më shumë se njëqind vizita të nivelit të lartë, takime dypalëshe dhe nisma shumëpalëshe kanë shoqëruar reformat e vendeve kandidate dhe kanë mbështetur në mënyrë konkrete afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, Italia promovon grupin joformal "Miqtë e Ballkanit Perëndimor", i cili bashkon shtetet anëtare të BE-së më të vendosura për të mbajtur vëmendjen evropiane të përqendruar te rajoni.
Takimi që organizojmë sot në Romë, me ministrat e punëve të jashtme të rajonit, konfirmon angazhimin e madh politik të Italisë për t'i dhënë një shtysë të re rrugës evropiane të Ballkanit.
Anëtarësimi në BE kërkon reforma thelbësore: forcimin e shtetit të së drejtës, një administratë publike efikase, digjitalizimin dhe rritjen e cilësisë së institucioneve. Italia i mbështet këto përpjekje me instrumente konkrete operacionale.
Ne jemi liderë në programet e binjakëzimit administrativ dhe të asistencës teknike afatshkurtër (Twinning dhe TAIEX), të cilat janë në zemër të procesit të anëtarësimit, sepse transferojnë ekspertizë, përvojë dhe kapacitete institucionale te vendet kandidate.
Në Ballkan, Italia është shteti anëtar i BE-së që renditet e para për nga numri i ekspertëve të angazhuar në këto programe. Ne besojmë se procesi i integrimit evropian duhet të sjellë përfitime konkrete dhe të dukshme në jetën e përditshme të qytetarëve dhe të bizneseve edhe para anëtarësimit, duke forcuar besimin në projektin evropian. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë të shkurtërpamë shtyrjen e procesit të anëtarësimit për vende si Serbia, e cila tashmë ka arritur përparim në shumë fusha kyçe.
Investimi në rritjen e Ballkanit do të thotë investim në forcën e Evropës.
Italia, gjithashtu përmes kompanive të shumta italiane të pranishme në rajon, është tashmë një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Ballkanit Perëndimor, me më shumë se 10 miliardë euro shkëmbime tregtare dhe rreth 800 kompani aktive në rajon, të cilat kontribuojnë në rritjen ekonomike lokale, punësimin e kualifikuar, modernizimin e prodhimit, si dhe në tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital. Përmes bashkëpunimit për zhvillim, ne veprojmë në sektorë kyç, nga shëndetësia te infrastruktura, nga energjia te formimi profesional.
Po aq e rëndësishme është edhe ndërlidhja. Ballkani është ura lidhëse ndërmjet Adriatikut, Mesdheut Lindor dhe Evropës Qendrore. Prandaj mbështesim zhvillimin e korridoreve kryesore infrastrukturore, duke filluar me Korridorin VIII, i cili do të lidhë Adriatikun me Detin e Zi, si dhe forcimin e rrjeteve hekurudhore, portuale, energjetike dhe digjitale. Në këtë kontekst e shohim edhe Korridorin Indi – Lindja e Mesme – Evropë (IMEC), për të cilin bashkëpunojmë me partnerë si India dhe vendet e Gjirit.
Falë pozicionit të saj gjeografik, Italia mund të konsolidohet si terminali evropian i këtyre rrugëve të reja, duke e bërë Ballkanin një urë natyrore drejt Evropës Qendrore dhe korridoreve euroaziatike. Çështja e ndërlidhjes është e lidhur ngushtë me autonominë strategjike të kontinentit tonë, sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe sigurinë ushqimore. Pikërisht për këtë arsye, në takimin e sotëm kemi ftuar edhe Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Maurizio Martina.
Integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe ndërlidhja kërkojnë një kuadër të qëndrueshëm sigurie. Edhe në këtë fushë Italia ka marrë një rol udhëheqës: kemi drejtuar 14 herë misionin e KFOR-it në Kosovë, dy herë misionin EULEX dhe tri herë misionin evropian EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë, duke kontribuar me mjete civile dhe ushtarake për stabilitetin rajonal dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Integrimi i Ballkanit është një zgjedhje gjeopolitike për Evropën: përfshirja e plotë e tij në Bashkimin Evropian nënkupton konsolidimin e krahut juglindor të Unionit, forcimin e stabilitetit të tij dhe rritjen e ndikimit të tij global.
Italia do të vazhdojë të punojë që rruga evropiane e rajonit të mbetet e besueshme dhe e bazuar në meritë, por edhe të bëhet më e shpejtë, më e parashikueshme dhe më pranë qytetarëve. Për kontinentin tonë, kjo është para së gjithash një çështje e koherencës historike dhe, më pas, një domosdoshmëri strategjike.
Shkruan për “Politika” Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani.
0 komentet