KUSH është-Hekuran Murati: Kontabilisti i Kurtit që di të “konfigurojë numrat”
Ish deputetja e Vetvendosjes Aida Dërguti tha në një rast se ministri aktual i financave në mandatin teknik Hekuran Murati, u shndërrua në kontabilist që di të përpunojë shifrat për revizorët. Megjithatë, numrat nuk i shkuan për dore sot kur në Kuvendin e Kosovës u votua për zgjedhjen e tij për kryetar të Parlamentit.
Ministri i Financave në mandatin teknik është kandidati i tretë i Vetëvendosjes, pas Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës, të cilat nuk mundën të merrnin vota të mjaftueshme. Për të votuan 57 deputetë, kundër ishin 52, ndërsa gjashtë prej tyre abstenuan.
"Ministër i paligjshëm"
Ndonëse për shumë njerëz, dështimi i tij në Kuvend nuk ishte surprizues pasi opozita shpesh e kritikon ashpër. Kohët e fundit, deputetja e LDK Hiqmete Bajrami i bëri thirrje prokurorisë të reagojë në rastin Murati. Bajrami tha se është në vepër penale të vazhdueshme prej 27 marsit duke shtuar se ai dhe kryeministri në mandatin teknik Albin Kurti jo vetëm që vepruan paligjshmërisht, por bërën që institucione të tjera të ishin jokushtetuese.
Akuza të tilla pasuan pasi Gjykata e Lartë në korrik hoqi udhëzimin administrativ të nënshkruar nga Murati, i cili pezulloi shitjen dhe abonimin e arkave fiskale për 60 ditë. Gjykata deklaroi se Murati shfaqet si deputet dhe se nuk mund të kryejë të dyja funksionet në të njëjtën kohë.
Premtime të pambajtura
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Ferat Shala kritikoi Muratin, duke theksuar se ai nuk përmbushi asnjë nga premtimet e bëra gjatë fushatës.
"Është e saktë që qeveria, pra ministri i financave, nuk mbajti asnjë nga premtimet e bëra gjatë fushatës së tij", tha Shala.
Ai akuzoi Muratin se, përveçse nuk arriti të rregullonte tregun, rriti taksat e pronës për bizneset, duke u’a vështirësuar atyre të bëjnë biznes.
Konflikte me presidenten
Në prill të këtij viti, Murati hyri në konflikt me presidenten Vjosa Osmani, pasi kërkesa e saj drejtuar qeverisë për të hequr tarifat për produktet me origjinë nga SHBA u publikua në rrjetet sociale pothuajse në të njëjtën kohë kur ajo i’a dërgoi atë qeverisë. Murati tha se e mori vesh "pas orarit të rregullt të punës", pasi kërkesa i’u dërgua qeverisë në orën 17:39, por shtoi se politika fiskale bie nën juridiksionin e pushtetit egzekutiv.
Reagoi këshilltari i presidentes Bekim Kupina ku tha se Murati është personi i fundit në Kosovë që mund të flasë për seriozitet.
Përleshje në Kuvend
Murati nuk njihet vetëm për numrat. Në korrik të vitit 2023, u shkua deri në konfrontim fizik në Kuvendin e Kosovës në të cilin mori pjesë edhe ai. Një vit më pas, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrat e Vetëvendosjes në pushtet arritën marrëveshje, kështu që procedurat e nisura për shkak të përleshjes së vitit të kaluar u ndalën.
Në përleshje fizike morën pjesë deputetët e PDK Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri Hekuran Murati. Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti, deputeti i PDK Mërgim Lushtaku i’u afrua Kurtit dhe i hodhi ujë. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ndërhyri, duke e qëlluar me shishe uji pas së cilës pati shtyrje dhe grushte të përgjithshme. Murati atëherë akuzoi se bëhej fjalë për akt të parapërgatitur nga deputetët e PDK që dëshironin të shkaktonin incident.
Kontradiktat rreth raportit të Bankës Botërore
Në sulmin e opozitës dhe mediave, Murati u gjend dhe vitin e kaluar kur pretendoi se raporti i fundit i Bankës Botërore ishte cituar gabimisht në Kosovë dhe se në fund të vitit 2023 u shënua rënia më e shpejtë e papunësisë.
"Disa ditë më parë, ishim dëshmitarë sesi mediat pranë opozitës u përpoqën të abuzonin me raportin e Bankës Botërore, duke e cituar gabimisht dhe duke pretenduar se raporti hedh poshtë të dhënat e qeverisë", shkroi atëherë Murati në Fejsbuk.
Sipas fjalëve të tij, gjatë mandatit të kësaj qeverie u krijuan pothuajse dy herë më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku. Megjithatë, në raportin e Bankës Botërore, Kosova ishte në vendin e fundit në rajon për përqindjen e të punësuarve-gjithsej vetëm 37%. Ekspertët vlerësojnë se tek kjo ndikoi largimi i fuqisë punëtore dhe politika ekonomike joadekuate.
Gjashtë vite në politikë
Hekuran Murati lindi në vitin 1987 në Ferizaj. Në politikë hyri në vitin 2019. U diplomua në Universitetin Amerikan në Kosovë. Në zgjedhjet e vitit 2021, ishte një nga deputetët që mori më shumë vota. Veten e konsideron ekspert për investime dhe posedon aksione në kompani të tilla si Volksvagen, Netfliks dhe Tesla.
0 komentet