Kush është-Johan Vadeful: Shefi i ardhshëm i diplomacisë gjermane, qëndron tek ajo se njohja mes Sërbisë dhe Kosovës nuk vjen brenda një nate

Kandidati për ministër të punëve të jashtme të Gjermanisë juristi Johan Vadeful (62) nga Unioni Kristian-Demokrat (CDU), eksperti i shkëlqyer për politikë të jashtme dhe siguri dhe njohës i mirë i procesit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
Velti gjerman për të thotë se nuk ka shumë të përbashkëta me Analena Berbok prej të cilës i mori ministrinë e diplomacisë.
Në Gjermani perceptohet si politikan që është lojtar skuadre dhe që nuk mban fjalime të gjata.
Vadeful është deputet në Bundestag prej 2009, ndërsa nëntorin e vitit të kaluar u zgjodh për nënkryetar të Asamblesë Parlamentare të Nato. Prej vitit 2018 në Bundestag ka ushtruar detyrën e ndihmës kryetarit të grupit të deputetëve të CDU/CSU, që merret me punët e jashtme dhe të mbrojtjes.
Para 20 ditësh Vadeful është takuar me presidentin e Sërbisë Aleksandar Vuçiq ku informoi se me parlamentarin gjerman kanë shkëmbyer opinione rreth situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sfidat, zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Europë e botë dhe se vëmendje të veçantë i është kushtuar potencialeve të shumta për çeljen e kapitullit të ri të raporteve mes Sërbisë dhe Gjermanisë.
Deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Sholc dhënë gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd në vitin 2022 rreth domosdoshmërisë që Sërbia të njohë Kosovën pasi është parakusht për hyrje në BE, Vadeful e etiketoi si “amatoreske”.
“Kjo është e dëshirueshme dhe të gjithë e dinë, por njohja duhet të vijë në fund të proçesit, ndërsa tani kjo deklaratë në mënyrë të tillë amatoreske në publik, bëhet barrë për mbarë procesin që bëhet i rëndë për Sërbinë”, ka thënë Vadeful.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Sërbisë dhe Kosovës, ka thënë në vitin 2020, bëhet që mbarë Ballkani Perëndimor të jetë më i sigurt.
“Kjo është e domosdoshme për zhvillim të mirë ekonomik dhe kushtetues në rajon. Megjithatë, Sërbinë dhe Kosovën e presin vendime mjaft të vështira që duhet të ndërmerren dhe zbatohen. Grupi i deputetëve të CDU/CSU në Bundestag, do të mbështesë të dy vendet pasi kjo është në interes të sigurisë gjermane”, ka thënë ai atëherë.
Dy vite më parë gjatë vizitës në Beograd kur theksoi qëndrimin gjerman rreth “kufijve mes Kosovës e Sërbisë” tha:
“Rivijëzimi i kufijve të rinj mes Kosovës e Sërbisë nuk është mirë, kështu që përsa i përket qëndrimit të Gjermanisë, është e domosdoshme që të dy palët të negociojnë dhe të gjejnë zgjidhje për normalizim, por që nuk do të ndryshojmë opinionin tonë përsa i përket kufijve”, ka thënë Vadeful në Beograd në vitin 2018.
Në intervistën për Dojçe velen në 2018, tha se “problemi i njohjes (Kosovës dhe Sërbisë) nuk mundet të zgjidhet brenda natës" dhe se këtë askush nuk e pret.
“Por mund të flasim rreth çështjeve të veçanta, rreth trashëgimisë kulturore, rreth pakicave, rreth bashkësisë së komunave. E rëndësishme është që të dy palët të bisedojnë dhe të mos ngecen në mosmarrëveshje të panevojshme për territore. Kjo është çështje dytësore”, ka thënë ai.
Në kohën kur kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti në vitin 2020, Vadeful në bisedë me Hotin konfirmoi mbështetjen e parlamentarëve gjermanë ndaj Kosovës.
Kancelarin e ardhshëm Fridrih Merc e ka ndjekur në shumë udhëtime jashtë vendit, ndërsa mediat gjermane konstatojnë se flitet qartë rreth përgjegjshmërisë së Rusisë për luftën agresore ndaj Ukrainës. Lidhur me kandidaturën e tij për postin e ministrit, mediat bëjnë të ditur se është e mundur që zyra e tij të ketë relativisht ndikim të paktë pasi pritet që kancelari Merc të jetë mjaft aktiv në këndvështrimin e politikës së jashtme.
Avokat dhe nënkolonel
Vadeful ka lindur më 10 shkurt të vitit 1963 në Huzum, në krahinën e Shlezvig-Holshtajn. Ka studiuar për drejtësi në Kili dhe ka punuar si avokat i specializuar për të drrejtën e mbrojtjes së shëndettit dhe çështjeve sociale. Në vitet ’80 ka shërbyer në Ministrinë e Mbrojtjes si nënkolonel në rezervë në Forcat e Armatosura Gjermane.
Është i martuar dhe ka tre fëmijë.
0 komentet