KUSH është KUSH – Rainer Rudolf: Historiani dhe eksperti për marrëdhëniet e BE-së me fqinjët

Rajner RUdolf
Burim: Reporteri

Diplomati gjerman me përvojë, historiani nga profesioni dhe nënkryetari aktual i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Rainer Rudolf, do të jetë ambasadori i ri i Gjermanisë në Prishtinë.

Rudolf është nënkryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC) që nga viti 2023 dhe kur iu bë pyetja se si arriti të bëhej nënkryetar i këtij forumi botëror, ai u përgjigj se kjo ishte „e lehtë“.

„Gjithçka që duhet të bësh është të punosh si diplomat për 25 vjet, duke u përpjekur të mos e prishësh punën, dhe pastaj, nëse ke fat, bëhesh nënkryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut“, theksoi Rudolf.

Fushat e tij të ekspertizës janë marrëdhëniet e jashtme të BE-së, duke përfshirë politikën e fqinjësisë dhe zgjerimin e Unionit, si dhe marrëdhëniet transatlantike.

Në revistën gjermane Politika Ndërkombëtare, para pesë vjetësh, në një tekst autorial ai theksoi se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilave u ishte dhënë perspektiva e anëtarësimit në BE që nga viti 2003 me Agjendën e Selanikut, kanë pritshmëri veçanërisht të larta nga BE-ja.

Sipas tij, BE-ja nuk është më magnet si në vitet ’90 dhe tashmë përballet me konkurrencë më të fortë nga fuqitë e tjera që luftojnë për ndikim në fqinjësinë e saj në mënyra të ndryshme.

„BE-ja duhet të zhvillojë një politikë koherente fqinjësie për fqinjët e saj evropianë, pavarësisht nëse duan anëtarësim apo jo. BE-ja duhet të mendojë për një model të ri lidhjesh ekonomike dhe integrimi politik që është i realizueshëm edhe pa anëtarësim (pa përjashtuar anëtarësimin e ardhshëm)“, ishte qëndrimi që Rudolf shprehu në vitin 2020.

Sa i përket zgjidhjes së konfliktit ruso-ukrainas, ky diplomat gjerman është i mendimit se parimi më i rëndësishëm është ruajtja e integritetit territorial të Ukrainës dhe se vetë ukrainasit duhet të jenë ata që vendosin për fatin e vendit të tyre.

Ai është avokat i rritjes së investimeve të evropianëve, përfshirë edhe gjermanët, në siguri dhe mbrojtje.

Para se t’i bashkohej MSC-së, Rudolf ishte zëvendësshef i misionit në ambasadën gjermane në Vjenë deri në vitin 2023. Më herët ka shërbyer në Përfaqësinë e Përhershme të Gjermanisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel dhe në ambasadat gjermane në Varshavë dhe Uashington.

Në Berlin, dy herë ka punuar në Zyrën e Kancelarit Federal, përfshirë edhe funksionin e shefit të departamentit për marrëdhënie të jashtme të BE-së, zgjerimin e BE-së dhe marrëdhëniet me shtetet anëtare, si dhe për negociatat mbi Brexit-in.

Historia dhe letërsia

Karrierën diplomatike Rudolf e filloi pas përfundimit të studimeve, i shtyrë nga dëshira e fortë për përvojë ndërkombëtare, sipas biografisë së tij. Ai konsideron se diplomacia ofron një pasqyrë unike mbi politikën botërore dhe sjell sfida të reja çdo tre vjet.

Ka diplomuar për histori dhe letërsi gjermane në Universitetin e Tübingen-it. Flet gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht.