KUSHË është KUSHË – Albulena Haxhiu: Opozita e akuzoi për shkelje të Kushtetutës si Ministre e Drejtësisë, që nga sot Kryetare e Kuvendit

Aljbuljena Hadžiju
Burim: Kosovo Online

Ministrja e Drejtësisë në qeveritë “Kurti 1” dhe “Kurti 2”, Albulena Haxhiu (38), e cila shpesh ka qenë në shënjestër të kritikave të opozitës për mënyrën e drejtimit të këtij dikasteri, sot është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Për të votuan 66 deputetë, 44 ishin kundër, ndërsa tetë abstenuan.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte nominuar Haxhiun disa herë për kryetare të parlamentit edhe në legjislaturën e kaluar, por atëherë nuk pati mjaftueshëm deputetë që e mbështetën zgjedhjen e saj, kështu që në fund kryetar i Kuvendit u bë Dimal Basha, ndërsa Haxhiu ishte nënkryetare.

Kur legjislatura e kaluar u konstituua në tetor të vitit të kaluar, Haxhiu deklaroi se gjatë formimit të qeverisë partia e saj ishte e hapur për koalicion me parti të tjera, përveç me Listën Serbe dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Para zgjedhjeve të 28 dhjetorit ajo tha se Lista Serbe nuk përfaqëson subjekt legjitim politik, sepse nuk e njeh Kosovën dhe se kandidatët e saj nuk do të duhej të merrnin pjesë në zgjedhje.

Në politikë hyri në shtator të vitit 2010, kur u bë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në atë kohë ishte organizatë politike jashtëparlamentare.

Në zgjedhjet e vitit 2010, në moshën 23-vjeçare, u zgjodh deputetja më e re e Kuvendit në atë mandat. Gjatë karrierës parlamentare ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion dhe Nënkomisionin për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit.

Lidhur me kërkesën e prokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë që ish-udhëheqësit e UÇK-së të dënohen me nga 45 vjet burg, para dy ditësh deklaroi se kjo është akt padrejtësie dhe fyerje për viktimat shqiptare të luftës.

“UÇK-ja po trajtohet sikur të ishte shkaktare e luftës, e jo përgjigje ndaj terrorit të shtetit serb. Kjo është shtrembërim i historisë. Të kërkosh kaq shumë vite burg për udhëheqësit dhe ushtarët e UÇK-së është tendencë për t’ia mohuar Kosovës të drejtën morale për çlirim dhe për ta barazuar viktimën me xhelatin”, ka theksuar ajo.

Si një nga rezultatet më të rëndësishme të ministrisë që ka drejtuar në dy mandate, Haxhiu e konsideron themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ndërsa disa herë ka deklaruar se institucionet e Kosovës po punojnë për përgatitjen e një padie kundër Serbisë për gjenocid.

Sipas saj, Prishtina bëri gabimin më të madh kur në vitin 2013 nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit me Beogradin, e cila parashikon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa gabim edhe më i madh ishte ratifikimi i saj në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka theksuar se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Si ministrja e Drejtësisë, opozita e ka kritikuar Haxhiun, duke vlerësuar se ka dështuar në reformën e sistemit gjyqësor dhe se është përzier në punën e drejtësisë. E kanë akuzuar disa herë për shkelje të Kushtetutës, duke kërkuar dorëheqjen e saj.

Përgjigjja e saj ndaj këtyre kërkesave ishte se dorëheqjen e saj e kërkojnë ata që e kanë parë seriozitetin e qeverisë për ta zbatuar reformën në drejtësi dhe të cilëve u cenohen interesat.

Një nga skandalet gjatë mandatit të saj si ministre, në vitin 2022, ishte zhdukja e mostrave të gjakut nga rasti “Dehari” nga Laboratori i Toksikologjisë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore. Astrit Dehari ishte aktivist i Vetëvendosjes, i cili në vitin 2016 u gjet i vdekur në qelinë e paraburgimit në Prizren, ndërsa vdekja e tij nuk u sqarua kurrë plotësisht. Edhe atëherë opozita kërkoi dorëheqjen e saj.

Ajo i ka mohuar pretendimet e familjarëve të serbëve që ndodhen në paraburgim në Podujevë, si dhe të avokatëve të tyre, se stafi i këtij burgu sillet shumë keq me ta – se nuk marrin terapi adekuate mjekësore, ushqim dhe se nuk respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Sipas saj, nuk ka pasur raste të trajtimit të keq të të paraburgosurve mbi bazë etnike.

Listën Serbe e ka quajtur dikur “bombë me sahat” në Kosovë, duke kritikuar opozitën që lejoi verifikimin e kësaj partie serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.

Kur në prill 2025 në Prizren u arrestuan 12 serbë që po shkonin për vizitë në një manastir, e më pas u liruan për t’u mbrojtur në liri, Haxhiu kritikoi organet e drejtësisë së Kosovës, duke thënë se “është shqetësuese sa lehtë u liruan”.

Bashkëshorti i saj, Alban Krasniqi, në gusht të vitit 2022 u emërua këshilltar politik i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ministri Krasniqi atëherë deklaroi se është nder që bashkëshorti i ministres Albulena Haxhiu është pjesë e ekipit të tij, se shërbimet e tij do të jenë falas dhe nuk do të kenë ndikim në buxhetin e Kosovës.

Juristja nga Prishtina

Haxhiu ka lindur në Prishtinë më 11 maj 1987. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i ka vazhduar në Universitetin e Evropës Juglindore, në drejtimin e së drejtës penale.

Është anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në vitin 2022 u zgjodh kryetare e organizatës Gratë për Vetëvendosje. Kryeministri Albin Kurti në vitin 2023 e emëroi koordinatore kombëtare për luftën kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.