Avokatët e Millorad Gjokoviqit: Presim një aktgjykim lirues

Vasilije Arsić
Burim: Kosovo Online

Avokatët në rastin e Millorad Gjokoviqit nga Vitomirica, Vasillije Arsiq dhe Dejan Vasiq, theksuan pas seancës së sotme se ky rast, të cilin e quajnë maratonik, ka ardhur në fund dhe se presin një aktgjykim lirues.

Avokati Vasillije Arsiq tha se gjykata i ka pranuar provat e mbrojtjes, por mbetet të shihet se si do t’i interpretojë ato.

Ai njoftoi se fjalët përfundimtare në këtë rast do të paraqiten më 21 korrik.

“Në seancën publike të sotme u shqyrtuan provat materiale të propozuara nga prokuroria dhe mbrojtja, dhe me gjyqtaren u dakorduam që të përgatiten fjalët përfundimtare në këtë rast maratonik që zgjat tashmë katër vjet. Ne, si mbrojtje, paraqitëm kundërshtimet tona ndaj provave të prokurorisë. Disa prova gjykata i hodhi poshtë, ndërsa disa i pranoi. Gjithashtu, gjykata i pranoi si prova materiale edhe provat tona të propozuara për alibinë e Gjokoviqit, por do të shohim se si do t’i interpretojë ato në aktgjykim. Ne gjithmonë shpresojmë që kjo të jetë në dobi të klientit tonë, por gjithsesi presim vendimin,” tha Arsiq para gazetarëve.

Avokati Dejan Vasiq tha se një aktgjykim dënues në rastin e Gjokoviqit do të ishte mëkat jo vetëm i gjykatës, por edhe i popullit të Kosovës, duke pasur parasysh se gjykata i nxjerr aktgjykimet në emër të popullit.

“Jam i bindur se, pasi t’i dëgjojë fjalët përfundimtare të kolegut tim Vasillije Arsiq dhe të miat, gjykata nuk do të marrë asnjë vendim tjetër përveç një aktgjykimi lirues. Gjatë këtij procesi kemi bërë gjithçka për t’ia bërë të qartë gjykatës dhe për të treguar se dëshmitarët që kanë dëshmuar nuk janë kredibilë dhe se mbi dëshmitë e tyre nuk mund të mbështetet një aktgjykim dënues. Më inkurajojnë edhe disa qëndrime dhe vendime që kryetarja e trupit gjykues ka marrë në këtë lëndë, të cilat më bëjnë të besoj se ky rast mund të përfundojë pozitivisht. Nëse do të ndodhte që Millorad Gjokoviqi të dënohej, kjo do të ishte mëkat jo vetëm i trupit gjykues, por edhe i gjithë popullit në emër të të cilit nxirren aktgjykimet,” tha Vasiq.

Millorad Gjokoviqi u arrestua në qershor të vitit 2022. Deri në arrestimin e tij, ai ishte serbi i vetëm që jetonte në Vitomiricë, ku shtëpia e tij ishte djegur gjatë trazirave të marsit të vitit 2004.

Disa vite para arrestimit, Gjokoviqi kishte nisur një procedurë me autoritetet lokale në Pejë lidhur me parcelën që dikur ia kishte ndarë komuna dhe mbi të cilën kishte ndërtuar shtëpinë.