Vlajiq: Aktgjykimi ndaj Arsiqit absurd, nuk do të kontribuojë në besimin e serbëve në drejtësinë e Kosovës
Avokati Nebojsha Vlajiq deklaroi se aktgjykimi i përsëritur ndaj Dushko Arsiqit me 13 vjet burg është absurd nëse merret parasysh se në procedurën e mëparshme Arsiq ishte dënuar për më shumë vepra, të cilat, siç thekson ai, në këtë aktakuzë janë përjashtuar. Mbrojtja do të paraqesë ankesë ndaj aktgjykimit.
“Një aktgjykim absurd, madje në masë më të madhe absurd se ai i mëparshmi, edhe pse në shikim të parë duket i njëjtë. Të dy aktgjykimet janë me nga 13 vjet burg, megjithatë Dushko Arsiq në procedurën e mëparshme ishte dënuar për më shumë veprime, për të cilat ky gjyqtar tha se shumë prej tyre nuk janë provuar dhe prandaj kanë rënë nga aktakuza. Si është e mundur që nëse diçka nga e mëparshmja nuk është provuar, të shqiptohet e njëjta dënim prej 13 vjetësh?”, pyeti Vlajiq.
Ai theksoi se bëhet fjalë për “qëndrim kokëfortë të gjykatës” e cila, sipas tij, nuk ka dashur të marrë parasysh asnjë vërejtje të Gjykatës së Apelit, përveç vërejtjeve teknike që disa çështje të paraqiten si prova.
“Aktgjykimi sigurisht nuk do të kontribuojë në besimin e popullit serb në drejtësi dhe në sistemin gjyqësor në Kosovë, sepse një aktgjykim i tillë, që është thellësisht i padrejtë dhe i paprovuar, nuk sjell drejtësi as për të dëmtuarin dhe as për të akuzuarin”, tha Vlajiq.
Ai njoftoi se do të ushtrojë ankesë ndaj aktgjykimit.
“Dyshoj se Gjykata e Apelit do të jetë e kënaqur me një aktgjykim të tillë, të cilin herën e kaluar e ka shfuqizuar”, tha Vlajiq.
0 komentet