Vazhdon gjykimi ndaj Nadica Çepkenoviqit; Filipoviq: Hetimi është zhvilluar ndaj personave të gabuar

1
Burim: Kosovo Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të prokurorisë, ka vazhduar gjykimi ndaj Nadica Çepkenoviqit, të cilën prokuroria e akuzon se, si gardiane burgu në Lipjan dhe Prishtinë, ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile.

Në seancën e sotme gjyqësore është dëgjuar dëshmitarja e tretë në rastin e Nadica Çepkenoviqit.

Siç deklaroi avokatja Jovana Filipoviq, mbrojtja në seancën e sotme vuri në dukje se hetimi në këtë rast nuk është zhvilluar në përputhje me rregullat, por është drejtuar ndaj personave të gabuar.

„Këtë patëm mundësi ta vërtetonim sot. Dëshmitarja, e cila pretendohet se i kishte identifikuar të akuzuarit në procesverbalin e identifikimit, nuk ishte në gjendje t'i përsëriste emrat e tyre gjatë shqyrtimit gjyqësor. Madje, paraqitëm edhe një procesverbal identifikimi, për të cilin dëshmitarja konfirmoi se personi në fotografinë nën të cilën kishte vendosur nënshkrimin e saj nuk ishte personi që duhej të identifikonte“, tha Filipoviq për Kosovo online.

Ajo shprehu shpresën se trupi gjykues do t'i marrë parasysh këto fakte. Siç shtoi, ekziston edhe problemi i ndikimit te dëshmitarët.

„Si rregull, pasi dëshmitarët nuk i kanë identifikuar të akuzuarit në procesverbalin para policisë si persona që i kanë keqtrajtuar, para gjykatës, përkatësisht gjatë shqyrtimit gjyqësor, dëshmia ndryshohet. Deri më tani nuk kemi parë që prokuroria të ketë reaguar ndaj kërkesave të mbrojtjes dhe të ketë ndërmarrë ndonjë masë apo të ketë nisur procedurë ndaj personave që kanë ndryshuar dëshmitë e tyre“, deklaroi ajo.

Në aktakuzën kundër Nadica Çepkenoviqit thuhet se gjatë periudhës 1998–1999, si gardiane në burgun e grave në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë, ajo ka keqtrajtuar sistematikisht të burgosurat shqiptare.

Policia e Kosovës, në prill të vitit të kaluar, arrestoi brenda së njëjtës ditë tre gardianë burgu në Lipjan dhe Prishtinë.

Në Lipjan u arrestuan Nadica Çepkenoviq dhe Boban Toniq, ndërsa në Prishtinë u arrestua M. I.