Ambasada e Gjermanisë: Jemi të shqetësuar për prezencën politike të FSK në veri, nuk është rasti për pikë politike
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njofton mbrëmjen e sotme se “është thellësisht e shqetësuar” për tentativën e politizimit të sotëm të dislokimit të pjestarëve të FSK në liqenin e Ujmanit nën lejen e Kfor dhe përjashtuar për qëllime humanitare, duke thënë se vdekja tragjike e të riut nuk duhet të jetë rast për përfitime pikësh politike.
“Ambasada Gjermane është thellësisht e shqetësuar për përpjekjet për të politizuar dislokimin e sotshëm të skuadrës speciale për kërkim dhe shpëtim nga përbërja e FSK në liqenin e Ujmanit-operacion i mundësuar nga KFOR në përputhje të plotë me mandatin e vet dhe që komandanti i FSK e lejoi vetëm për qëllime humanitare. Humbja tragjike e jetës së të riut duhet të jetë moment pikëllimi kolektiv dhe jo mundësi për të fituar pikë politike” bëhet e ditur në njoftim.
Në këtë të fundit thuhet se deklaratat e aktorëve të caktuar politikë që këtë mision e paraqesin si "operacionin e parë të FSK në veri të Kosovës" e paraqesin gabimisht me qëllim dhe frymën e dislokimit të pjestarëve të vet.
“Njëkohësisht, shqetësuese janë akuzat për plane manipuluese-veçanërisht, heqja e elementëve të dukshëm të eskortës së FSK-me qëllim promovimin e narrativës mashtruese”, vëren Ambasada Gjermane duke shtuar se veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit.
Ambasada Gjermane përsëriti mbështetjen e saj të plotë për KFOR dhe mandatin e tij dhe shpreh mirënjohjen e sinqertë për të gjithë pjestarët e KFOR dhe FSK që morën pjesë në aksionin e sotëm të kërkimit.
“Profesionalizmi dhe bashkëpunimi i tyre i shërbejnë të mirës publike dhe janë kujtesë për atë që mund të arrihet kur institucionet punojnë bashkarisht në shërbim të dinjitetit njerëzor”, konkludon Ambasada Gjermane.
Pjestarët e FSK i’u bashkuan mëngjesit të sotëm operacionit të kërkimit për trupin e të riut në liqenin e Ujmanit me lejen e KFOR. Aksioni përfundoi pasditen e sotme, kur trupi i të riut u gjet dhe u nxorr në breg. I riu (33) të dielën pasdite u hodh nga ura në liqen, por nuk doli më. Dëshmitarët okularë njoftuan autoritetet dhe prej atëherë kërkimet vazhduan.
0 komentet