Bajraktari: S’ka Kuvend pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, këtë e përcakton edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014
Avokati Ardijan Bajraktari ka deklaruar për Kosovo online se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 përcakton qartë se Kuvendi mund të formohet vetëm me zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve dhe se „çdo interpretim tjetër është i kundërt“ me këtë standard.
Lëvizja qeverisëse Vetëvendosje pohon se është përfunduar procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe se duhet të kalohet në fazën tjetër – formimin e qeverisë së re. Ky ishte edhe motivi i takimit të djeshëm midis presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, Dimal Basha.
Nga kabineti i saj pas takimit është njoftuar se „ekipi juridik i Presidencës po kryen analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës“.
Bajraktari është i qartë se në çfarë kushtesh përfundon procesi i konstituimit të parlamentit.
„Kuvendi i Republikës së Kosovës konstituohet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, të cilët përbëjnë Kryesinë e Kuvendit dhe janë përgjegjës për punën e tij administrative. Pa zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar“, thekson Bajraktari.
Ai shpjegon se Gjykata Kushtetuese për këtë çështje është shprehur që para 11 vitesh.
„Për këtë ka vendosur që në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, dhe këtë vendim më pas e ka konfirmuar sërish me dy aktgjykimet më të fundit, atë të qershorit dhe atë të gushtit. Çdo interpretim apo veprim tjetër është i kundërt me këtë standard, të cilin e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe që është ende në fuqi“, thekson Bajraktari.
0 komentet