Banorët e Drenit: Trualli ynë është pushtuar; Todiq: Ndërtohet bazë policore; Elshani: Kemi marrë urdhër
Pasi u mor vesh se në fshatin Dren filluan punimet në rrugë në aksin magjistral nga Leposaviqi në drejtim të lagjes Zaselje të Leshkës dhe kodrinës ku sipas vendimit ilegal të qeverisë së Kosovës u shpronësua toka, kryetari i organit të përkohshëm në Komunën e Leposaviqit Zoran Todiq, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ku ka marrë kontakt me banorët e zonës dhe efektivët e policisë kosovare.
Todiq ka thënë se në bisedë me organet kompetente, ka marrë dijeni se bëhet fjalë për ndërtimin e një baze ushtarake.
"Kanë kaluar 15 ditë nga marrja e këtij vendimi ilegal për shpronësimin e truallit në zonën kadastrale Dren dhe Leshak ku sot kemi mësuar rreth kësaj vendimarrjeje ilegale dhe qëllimin e saj. Po punohet për ndërtimin e bazës dhe këtë na e konfirmuan efektivët e FPK. Sot u shënua edhe një veprim tjetër i njëanshëm për të cilën askush prej nesh nuk kishte dijeni, prezenca e makinerive të rënda të ndërtimit, këta njerëz që po merren me ndërtim po ruhen prej efektivave të Njësisë së Policisë Speciale e armatosur deri në dhëmbë. Njerëzit janë të shqetësuar dhe të nervozuar çka nuk është në favor të askujt sot, sepse nuk kemi nevojë për tensione të reja. Por njerëzit janë të vendosur për të mos lejuar marrjen e truallit të trashëguar prej të moçmëve të tyre. Nuk është aspak e këndshme që këtu të vijnë efektivët policorë puro shqiptarë sepse situata është me të vërtetë e rëndë. Kemi vënë në dijeni drejtorin e Zyrës për K&M Petar Petkoviq dhe kemi dijeni se për këtë është njohur edhe i dërguari i BE për dialog Mirosllav Llajçak. Megjithë kundërshtimet e banorëve, ata vazhdojnë të kryejnë punime, sot po punohet për zgjerimin e rrugës që të çon në këtë parcelë, e cila është 83 hektarë, prej të cilave 13 janë në pronësi të banorëve të fshatit Dren. Gjashtë parcela janë në pronësi shoqërore, ndërsa një parcel në pronësi të komunës në të cilën ndodhet varreza. Në bisedë me nënkolonelin e policisë kosovare Veton Elshanin i kemi përcjellë atij kërkesën e banorëve për ndalimin e punimeve sepse ata nuk e pranojnë marrjen e pronave“, ka thënë Todiq.
Nënkoloneli i Policisë së Kosovës Veton Elshani, i cili është koordinator i të gjithë këtij aksioni, shprehet se pas vendimit të qeverisë në Prishtinë ata sot po e vënë në zbatim.
"Këtu do të jetë stacion policor kufitar. Sot kemi folur me banorët dhe i këmi bërë të ditur atë çfarë dimë. Ankohen se një pjesë e varrezave ortodokse është përfshirë në vendimin e shpronësimit, por ky është një gabim teknik dhe gjatë punimeve do të shikojmë se çfarë mund të bëjmë“, ka thënë Elshani.
Pyetjes se përse nuk është biseduar me askënd nga banorët, Elshani thotë se ai i kupton ata, por kanë marrë urdhër të cilin duhet t’a zbatojnë. "Kemi biseduar me njerëzit mëngjesin e sotëm dhe i kuptojmë ata, por urdhëri është urdhër dhe ne respektojmë vendimin e qeverisë. Nuk ka shtim të radhëve të efektivëve të policisë ashtu siç mendojnë banorët të cilët janë të shpërndarë rreth kodrave. Numri i tyre është minimal“, thotë Elshani.
Banori i fshatit Dren, Mlladen Qiprijanoviq, jurist i diplomuar, thotë se kjo është shkelje e ligjit dhe dhunim i të drejtës.
"Ligji i shpronësimit parashikon procedurë të gjatë e cila mund të zgjasë një vit ndoshta dhe më shumë, ndërkohë që këtu kemi uzurpim të truallit prej 15 ditësh. Vendimi i qeverisë është ndërmarrë në mënyrë jo transparente, banorët e zonës dhe pronarët nuk janë njohur me këtë vendim i cili duhet të mirëspegohet përmes një dëgjese publike. Asgjë nga këto nuk është respektuar. Pronarët privatë do ta padisin këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e deri në një vendim përfundimtar, asnjë lloj punimi nuk duhet të kryhet. Pronarët kanë të drejtë të qëndrojnë në pronat e tyre deri në shpronësimin përfundimtar të tyre e cila do të vërtetohet në vendimin përfundimtar të shpronësimit. Duke mësuar prej përvojës së vitit të kaluar për shpronësimin e tokës dhe ndërtimin e bazës në Jarinjë, mendoj se të drejtat e banorëve vendas nuk do të respektohen“, ka thënë Qiprijanoviq.
Banori Ivan Josoviq thotë se trualli i tij është i okupuar dhe atë askush nuk e ka pyetur.
"Këtu ndodhen një numër i madh i efektivësh të forcave speciale policore, të armatosura deri në dhëmbë, ata ruajnë punëtorët, se çfarë do të bëhet, nuk e dimë. Për të shkuar në shtëpi, duhet të presim dhjetë minuta. Efektivëve të Kfor të cilët ishin këtu sot ashtu si dhe një ditë më parë, u thashë se ju shpesh e frekuentoni këtë rrugë dhe e shikoni se çfarë po bëhet pasi snajperistët ndodhen kudo. Jemi të shqetësuar dhe frikësuar. Gardhi ndodhet në të dalë të banesës sime. Këtu së bashku me ne ndodhet edhe pushteti vendor dhe atë çfarë presim është ndalimi i punimeve“, shprehet Josoviq.
Stefan Dimitrijeviq nga i njëjti fshat, thotë se shqiptarët erdhën për t’a uzurpuar pronën në të cilën ai jeton prej shekujsh.
"Ne kemi qënë gjithmonë këtu, jetojmë e punojmë, ata erdhën tek pronat tona me armët tytgjata, na rrethuan dhe nuk e dimë se çfarë të bëjmë. Populli është i shqetësuar si pasojë e policëve të armatosur që mbajnë në dorë armë tytgjata, snajpera. Nuk na kanë njoftuar se do të ndërtonin një bazë policore. Çne kjo, prej kujt duhet të na mbrojnë, prej vetes sonë? Nuk shikojmë asnjë arsye që baza të jetë në fshatin tonë“, thotë Dimitrijeviq.
0 komentet