Barbano: Pres që çdo veprim në veri të shqyrtohet me EULEX-in për të shmangur shkeljen e të drejtave të individëve
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, i cili së shpejti do të largohet nga kjo detyrë, deklaroi se situata në veri të Kosovës është e qetë, por mbetet ende e brishtë për shkak të ekzistencës së faktorëve potencialë që mund të shkaktojnë tensione. Ai tha se pret që çdo veprim të shqyrtohet me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht me EULEX-in, për të shmangur veprime të njëanshme që mund të cenojnë të drejtat e individëve.
“Inkurajuese është fakti që shumica e këtyre faktorëve diskutohen paraprakisht me autoritetet lokale, qoftë në kuadër të dialogut apo në aspektet që lidhen me sigurinë në një nivel më praktik. Kjo ndihmon në parandalimin e tensioneve të mundshme nga perspektiva e sigurisë. Megjithatë, ende ka disa çështje që mbeten nën vëzhgimin dhe shqyrtimin tonë dhe që kërkojnë zgjidhje. Ajo që pres dhe dëshiroj është që çdo veprim të shqyrtohet me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht me EULEX-in, për të shmangur veprime të njëanshme që mund të shkelin të drejtat e individëve”, tha Barbano në një intervistë për Kosovo Press.
Sipas tij, zhvillimet e fundit dhe angazhimi i qeverisë në dialog, veçanërisht në veri, kanë rezultuar shumë të dobishme dhe efektive në parandalimin e incidenteve.
“Megjithatë, herë pas here vazhdojnë të ketë veprime që nuk janë mjaftueshëm të koordinuara në nivel lokal dhe që ende tërheqin vëmendjen dhe shqetësimin tonë”, theksoi ai.
Ai shtoi se policia në veri po përpiqet të fitojë besimin e popullsisë përmes iniciativave dhe aktiviteteve të ndryshme të zhvilluara nga organizatat joqeveritare, shoqëria civile dhe komuniteti, por se gjithmonë ekzistojnë individë ose grupe që mund të minojnë paqen dhe sigurinë.
“Një aspekt që vazhdon të na shqetësojë është zbulimi i vazhdueshëm i armëve, jo vetëm në veri, por në të gjithë Kosovën. Kjo tregon se armët dhe mjetet sulmuese vazhdojnë të jenë të disponueshme dhe relativisht lehtësisht të qasshme. Prandaj nevojitet vëmendje e madhe si nga policia ashtu edhe nga prokuroria, si dhe nisja e fushatave për dorëzimin vullnetar të armëve me qëllim çmilitarizimin e këtyre zonave”, tha shefi i EULEX-it.
Lidhur me njoftimin e kryeministrit në mandatin teknik të Albin Kurtit për formimin e xhandarmërisë, Barbano tha se duhet të merret parasysh korniza ligjore e përcaktuar me Kushtetutë, e cila Policinë e Kosovës e konsideron institucionin kryesor dhe të vetëm për zbatimin e ligjit.
Ai theksoi se informacionet që posedojnë janë të kufizuara, pasi hapat e ndërmarrë deri tani për krijimin e xhandarmërisë janë ende në fazën fillestare.
“Natyrisht, ne respektojmë pronësinë vendore të procesit, por duhet të kemi parasysh kornizën ligjore të përcaktuar me Kushtetutë, e cila Policinë e Kosovës e konsideron institucionin kryesor dhe të vetëm për zbatimin e ligjit. Prandaj çdo zgjidhje që do të gjendet për këtë projekt duhet të jetë në përputhje me këtë kornizë ligjore, si dhe me kufizimet e tjera të përcaktuara në marrëveshje dhe aranzhime të ndryshme. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim këtë zhvillim. Misioni mbetet i angazhuar ngushtë në monitorimin e kësaj çështjeje dhe, nëse është e nevojshme, të ofrojë këshilla dhe mbështetje profesionale”, thotë Barbano.
Sipas tij, ekziston një koordinim i mirë ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, dhe nëse krijohet një aktor i ri, në këtë rast xhandarmëria, do të jetë e rëndësishme që ai të përfshihet në të njëjtin mekanizëm koordinimi.
“Kemi një mekanizëm shumë të mirë koordinimi ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it në fusha të ndryshme të mandateve tona, përmes trajnimeve të përbashkëta dhe takimeve të rregullta. Prandaj, nëse formohet një aktor i ri, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme që ai të integrohet në të njëjtin mekanizëm koordinimi”, tha Barbano.
Sipas shefit të EULEX-it, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë të gatshme të rrezikojnë jetën e policëve të tyre që shërbejnë në këtë mision për të mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj.
“Policia e Kosovës është reagimi i parë në aspektin e sigurisë, ndërsa KFOR-i është reagimi i tretë. Midis tyre, EULEX-i vepron si reagimi i dytë i sigurisë, me kërkesë të shprehur të Policisë së Kosovës, nëse situata e kërkon këtë. Në këtë mënyrë ne e përmbushim rolin tonë si reagim i dytë i sigurisë në përputhje me vullnetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme të rrezikojnë jetën e policëve të tyre që shërbejnë në EULEX për të mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj. Ky është një mesazh politik shumë i rëndësishëm që duhet kuptuar. Kjo do të thotë se ne jemi të gatshëm të intervenojmë nëse është e nevojshme”, tha ai.
Ai deklaroi se EULEX mbetet i përkushtuar për të kontribuar në siguri, duke shtuar se ata kanë mekanizma për të marrë përforcime nga njësitë rezervë të policisë nëse është e nevojshme.
"Shpresojmë që nuk do të ketë nevojë për këtë, por kemi edhe mekanizma për të marrë përforcime nga njësitë rezervë të policisë të ofruara nga Forcat Evropiane të Xhandarmërisë. Ne mbetemi të përkushtuar për të kontribuar në përpjekjet e sigurisë. Në këtë drejtim, kemi përmirësuar mekanizmat për trajnime të përbashkëta dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni, si dhe kemi rritur ndërveprimin me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kjo ka rezultuar efektive në disa raste", tha Barbano.
0 komentet