Bilçik për dialogun: Topi është në duart e Prishtinës

Vladimir Bilčik
Burim: Kosovo Online

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Bilçik, me rastin e raundit të fundit të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, tha se topi aktualisht është në duart e Prishtinës dhe se është ajo që duhet të zhbllokojë procesin që do të çojë në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Në një intervistë për Demostatin, Bilçik ndër të tjera ka thënë se është e rëndësishme që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë, por edhe më e rëndësishme është që ai të sjellë rezultate.

“Siç thashë më herët, topi është shumë në duart e Prishtinës në këtë moment. Prishtina duhet të zhbllokojë procesin që do të çojë në themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe të bashkëpunojë për gjetjen e një zgjidhjeje praktike, në mënyrë që zgjedhjet e reja të mbahen në veri të Kosovës”, tha Bilçik.

I pyetur se çfarë mendon për vitin 2030 si datë e mundshme për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Bilçik u përgjigj se të gjithë ata që janë të gatshëm të anëtarësohen në Bashkimin do të mund ta bëjnë këtë.

“Jam i bindur se ky është një sinjal se Bashkimi Evropian është i gatshëm dhe i përkushtuar për zgjerimin e ardhshëm dhe se ata që janë të gatshëm të anëtarësohen në BE do të mund ta bëjnë këtë. Prandaj, në vend që të diskutoj për disa data konkrete për momentin, do të fokusohesha në zbatimin e reformave, vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe në harmonizimin me Bashkimin Evropian në të gjitha segmentet, përfshirë edhe marrëdhëniet e jashtme. Për mendimin tim, këto do të ishin sinjalet më të mira se Serbia është e gatshme të anëtarësohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Bilçik.

Duke komentuar kërkesën e partive opozitare në Serbi që zgjedhjet e jashtëzakonshme të organizohen tashmë në dhjetor, Bilçik tha se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme është në duart e autoriteteve përkatëse.

“Është e rëndësishme politikisht që çdo vendim që lidhet me demokracinë përfaqësuese në Serbi të çojë në një situatë që mundëson një atmosferë publike me më pak ndarje dhe polarizim, si dhe një atmosferë që është e favorshme për reforma, që ka rëndësi kyçe për përparimin në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, tha Bilçik.