Borel: Progresi në dialog për një perspektivë të qartë evropiane të Kosovës dhe Serbisë
Progresi në dialog është e vetmja mënyrë që Kosova dhe Serbia të kenë një perspektivë të qartë evropiane, theksoi përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Zhozep Borel, para fillimit të Samitit të BE-së - Ballkani Perëndimor, në Bruksel.
Boreli u tha gazetarëve se ishte i lumtur që pati mundësinë në Samit për të treguar të gjithë punën dhe përpjekjen e investuar në Ballkanin Perëndimor.
“Ne jetojmë në një mjedis të vështirë dhe sfidues, dhe kjo ndikon tek ne, në lagjen tonë, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se duhet të punojmë në dy drejtime. Një drejtim është zgjerimi, i cili duhet të përshpejtohet. E dyta është se në fushën e politikës së jashtme duhet të mbështesim ata që janë më të përafruar me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Sa më shumë të përafrohen me politikën tonë të jashtme, aq më shumë përballen me kërcënime më të mëdha të sigurisë”, shpjegoi ai.
Kur është fjala për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai ka theksuar se BE ka investuar shumë kohë dhe energji në atë proces.
“Ai proces pati ulje-ngritje, kriza të shumta, por solli edhe zgjidhje, si marrëveshje për regjistrim, letërnjoftim, energji. Ditët e fundit kemi pasur lajme të mira nga të dyja palët. Ata po bëjnë përparim, megjithëse ngadalë. Ne duhet t'i shtyjmë ata më tej që të vazhdojnë në atë rrugë sepse kjo është e vetmja mënyrë që ata të kenë një perspektivë të qartë evropiane”, tha Borel.
I pyetur se kur do të ketë një takim të ri në nivelin më të lartë, ai tha se dialogu është duke vazhduar dhe se është një proces.
Ai ka treguar se i dërguari special për dialog po viziton Kosovën dhe Serbinë dhe kur të vijë momenti do të ketë sa më shumë takime të nivelit të lartë.
Ai paralajmëroi investime prej dy milionë eurosh në forcimin e rezistencës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi ndaj llojeve të reja të luftërave dhe kërcënimeve kibernetike.
Boreli theksoi se zgjerimi është politika e jashtme më e rëndësishme e BE-së.
"Ne duhet të bëjmë përparim në zgjerim. Duhet të realizojmë atë që kemi premtuar," përfundoi ai.
0 komentet