Brnabiq: Jemi në prag të një konflikti të armatosur falë lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, sot u ka bërë thirrje organizatave joqeveritare, të cilat janë pjesë e Konventës Kombëtare, të shprehen për torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë, raporton RTV.
Në seancën e Konventës Kombëtare në Parlamentin e Serbisë, Brnabiq theksoi se në këtë moment të gjithë duhet të bëjnë çmos për të ruajtur paqen.
"Jemi në prag të një konflikti të armatosur falë lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës. Organizatat e shoqërisë civile, ju lutemi të flisni për torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë. Ne duhet ta ruajmë paqen së bashku," tha Brnabiq.
Ajo pyeti se ku në kontinentin evropian mund të mos ketë informacion për një të arrestuar për 12 ditë, duke folur për Dejan Pantiq.
"Askush nuk e di se ku është, nuk dihet nëse ka marrë terapi. Familja nuk mund të bisedojë me të. Dhe kreu i EULEX-it thotë se nuk e dinë se ku është. Dhe çfarë po bëni në Kosovë e Metohi? Është kjo në rregull, nga pikëpamja njerëzore”, pyeti Brnabiq.
Ajo përkujtoi se arrestimi i Dejan Pantiqit, përveç ruajtjes së Marrëveshjes së Brukselit dhe formimit të Komunitetit të Komunave Serbe, është arsyeja pse serbët janë në barrikada.
"Pavarësisht se sa jemi të ndryshëm, duhet të insistojmë në të drejtat e njeriut dhe t'i japim një shans paqes. Ata do të reagojnë ndryshe kur t'ju dëgjojnë. Ju lutemi, këto janë gjëra që janë të rëndësishme për ne për paqen dhe integrimin evropian", tha Brnabiq.
komentet