Brnabiq: Kurti po shkakton një eskalim të ri për të shmangur detyrimet nga marrëveshja
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar sot, duke komentuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, se ky është një provokim i ri, me qëllim që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të shkaktojë një eskalim të ri dhe një valë të re të dhunës dhe në këtë mënyrë të shmangte detyrimet nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, që përfshijnë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, raporton RTV.
Brnabiq, në një deklaratë për mediat në Londër, u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta ndihmojnë Beogradin të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe të vazhdojë të këmbëngulë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.
Ajo tha se dje ka biseduar me të dërguarin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stjuart Piç, se si të përmirësohet situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se kanë prekur edhe temën e Kosovës.
“Dhe si mund të krijojmë bashkëpunim më të mirë në këtë kuptim dhe komunikim më të ngushtë mes Britanisë së Madhe dhe Serbisë, e posaçërisht kemi prekur temën e Kosovës dhe Metohisë”, tha Brnabiq.
Ajo shtoi se me Piçin ka folur edhe për faktin se “Kurti jo vetëm që nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Brukselit”, por siç ka thënë ajo është duke punuar në mënyrë aktive, “duke bërë lëvizje drejtpërdrejt në kundërshtim me atë që thuhet në Marrëveshjen e Brukselit”.
0 komentet