Brnabiq: Kurti tregon hapur se nuk i do serbët në Kosovë

Ana Brnabić
Burim: Kosovo online

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është vënë me shpatulla për muri dhe se e vetmja rrugëdalje për të është të shkaktojë një konflikt të armatosur. Ajo theksoi se reagimi i Perëndimit ndaj veprimeve të Kurtit nuk duhet të mungojë, raportojnë Novosti.

"Është skandal çfarë po ndodh. Është e tmerrshme se sa hapur Albin Kurti po i tregon gjithë botës se ai nuk i dëshiron serbët në Kosovë dhe Metohi, dhe nëse duhet t'i dëbojë, do t'i dëbojë. Nëse ata vazhdojnë të mbijetojnë dhe të qëndrojnë, atëherë do t'i largojë fizikisht. Ai e ka humbur vetëkontrollin, nëse ndonjëherë e ka pasur. Kurti është aq vënë me shpatulla për muri, sa që për të e vetmja rrugëdalje është të shkaktojë një konflikt të armatosur. Sa më shumë të shkojë përpara, aq më e qartë bëhet kjo. Po mbetet gjithnjë e më pak hapësirë për ata që krijuan këtë shtet të rremë," tha Brnabiq.

Ajo theksoi se takimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, janë shumë të rëndësishme.

"Duhet të ketë një reagim nga Perëndimi. Ka një moment kur kjo heshtje duhet të ndërpritet dhe unë besoj se po i afrohemi atij momenti, por është shumë e vështirë për popullin tonë në Kosovë dhe Metohi. Nga ana tjetër, mendoj se qytetarët tanë nuk mund të imagjinojnë sa shumë aktivitet diplomatik po zhvillohet në prapaskenë nga Vuçiqi dhe Vuçeviqi," shtoi ajo.