Vuçiq pas takimit me Lajçakun: Kurti dëshiron përndjekjen e popullit serb, kjo është e qartë për të gjithë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron shkatërrimin dhe përndjekjen e popullit serb, dhe se kjo është e qartë për të gjithë.
Duke iu drejtuar mediave Vuçiq pas dy orësh bisedimesh me të dërguarin special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, dhe ambasadorin e SHBA-të në Serbi, Kristofer Hill, njoftoi se do t'i drejtohet publikut në Serbi në 72 orët e ardhshme, dhe se do të prezantojë atë që kërkon Serbia për shkak të, siç theksoi, sulmit thelbësor dhe brutal ndaj popullatës serbe kryesisht në veri të Kosovës, dhe çfarë është ajo që komuniteti ndërkombëtar nuk e ka përmbushur.
“Në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohemi publikut dhe do të flas për atë që kërkon Serbia dhe çfarë pret”, tha Vuçiq dhe njoftoi se në tetor do të dalë para Kuvendit të Serbisë me propozime se çfarë do të bëjë Serbia për gjithë situatën.
“Ne duhet të luftojmë për Serbinë në botë, të kërkojmë aleatë, do të bëjmë gjithçka që është e mundur, por tashmë është e qartë se Kurti dëshiron vetëm shkatërrimin dhe dëbimin e popullit serb, mendoj se tashmë është bërë e qartë për të gjithë, jo vetëm për ne”, theksoi ai.
Siç thotë ai, veprimet e tij si heqja e vendeve të punës, pengimi i njerëzve që të martohen, divorcohen, apo të marrin certifikatën e vdekjes së një anëtari të familjes, flasin në favor të synimeve të Kurtit.
"Për të gjitha këto, nga Evropa dhe Quint-i vijnë vetëm fjalë dënimi. Pastaj, sado që të keni duart e lidhura dhe të gjendeni në një pozicion të vështirë nga viti 2008 e këtej, duhet të ndërmerrni veprime që do të çojnë ose në rikthimin e disa të drejtave ose të thoni se nuk jeni në gjendje të ruani dhe mbroni popullin tuaj. Ne nuk kemi të drejtë për këtë të dytën, sepse jemi të detyruar nga Kushtetuta, por edhe nga marrëveshjet e Brukselit", tha Vuçiq dhe përsëriti se do t'i drejtohet publikut brenda 72 orëve të ardhshme me masa dhe çështje serioze.
Sa i përket dialogut, siç thotë Vuçiq, ai është i gatshëm të shkojë sot në Bruksel dhe të bisedojë me Kurtin, por Serbia nuk është e gatshme dhe nuk do të lejojë pogromin dhe përndjekjen e popullit serb.
komentet