Brnabiq me Piçin: Beogradi tregoi përkushtim ndaj dialogut dhe stabilitetit
Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq, ka biseduar sot me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, lordin Stjuart Piç, për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale politike dhe ekonomike me atë vend si dhe për gjendjen aktuale në Kosovë dhe rajon.
Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, Bërnabiq ka shprehur shqetësim të madh për situatën aktuale në Kosovë, veçanërisht për faktin se institucionet në Prishtinë po pengojnë zgjedhjet e ardhshme për deputetë të Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë në Kosovë.
“Kryeministrja vuri në dukje se Beogradi ka treguar një përkushtim të qartë për dialogun dhe arritjen e stabilitetit dhe tha se Beogradi do të vazhdojë me vendosmëri të insistojë në zbatimin e asaj që është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në deklaratë.
Ajo shprehu interesin e saj të veçantë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe në disa fusha kyçe dhe shprehu kënaqësinë e saj për Deklaratën e nënshkruar së fundmi për përmirësimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Duke treguar iniciativat e ndryshme në të cilat merr pjesë Serbia, Brnabiq theksoi përkushtimin për bashkëpunimin rajonal, i cili është një nga prioritetet e politikës së jashtme dhe kontribuon në prosperitetin dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit.
Stjuart Piç theksoi se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, para së gjithash në fushën e ekonomisë, mbrojtjes së mjedisit, energjisë, si dhe në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët projektesh.
Në takim u bisedua edhe për hapjen e ambasadës kreative të Republikës së Serbisë në Londër, e cila paraqet një lloj kontributi në promovimin e industrive kreative dhe inovacionit të Serbisë dhe qytetarëve të saj në Britaninë e Madhe.
0 komentet