Brnabiq me Zaracin: Zbatimi i asaj që është rënë dakord, para së gjithash BKS

Ana Brnabić
Burim: Kosovo Online

Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq, ka biseduar sot me përfaqësuesin special të Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Zaracin, dhe me atë rast ka theksuar përkushtimin e Beogradit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe zbatimin e marrëveshjes me Prishtinën, mbi të gjitha formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Siç thuhet në njoftimin e Kryeministrisë, Brnabiq dhe Zaracin kanë biseduar edhe për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, integrimet evropiane, si dhe situata aktuale rajonale dhe zhvillimet e fundit në kuadër të nismës së Procesit të Berlinit.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, kryeministrja theksoi përkushtimin e Beogradit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe theksoi se pret mbështetje konstruktive që do të mundësojë stabilitet të qëndrueshëm në rajon, me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe mbi të gjitha formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Zaracin theksoi se bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë një bazë e mirë për diskutime dhe progres të mëtejshëm dhe se hapat e fundit në dialog paraqesin një hap të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian, dhe se zbatimi është kyç. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e hapave të mëtejshëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët rajonal, duke nënvizuar se pret që rezultatet e nismës së Procesit të Berlinit të mundësojnë krijimin e një mjedisi më të begatë dhe të ofrojnë përfitime konkrete për banorët e rajonit.

Kryeministrja tha se Serbia është e interesuar të forcojë sinergjinë me Gjermaninë, duke theksuar se krahas vazhdimit të bashkëpunimit për investime, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së lartë,
ka mundësi të mëdha për thellimin e marrëdhënieve në fushën e energjisë, industrisë së automobilave, si dhe shkencës dhe arsimit.

Brnabiq theksoi se bashkëpunimi në rajon është angazhim strategjik i Serbisë me qëllim jo vetëm zhvillimin ekonomik të rajonit, por edhe si ide e lidhjes dhe bashkimit të Ballkanit Perëndimor dhe afrimit të tij me Bashkimin Evropian.

Në takim ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad.