Brnabiq: Pres që Brukseli dhe Uashingtoni të bëjnë presion mbi Prishtinën për të formuar KKS-në sa më shpejt të jetë e mundur

Ana Brnabić
Burim: Printscreen

Presim nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Brukseli, por edhe nga Uashingtoni, që sa më shpejt t'i bëjnë presion Prishtinës të fillojë sa më parë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, që nënkupton themelimin e Komunitetit të Komunave Serbe, tha kryeministrja serbe, Ana Brnabiq për RTS.

Siç tha ajo, Beogradi ka marrë të gjitha garancitë nga i dërguari amerikan Gabriel Eskobar se do ta bëjnë sa më shpejt.

“Për fat të keq, Brukseli dhe Uashingtoni i dëgjojnë serbët nga Kosova e Metohija vetëm kur janë në barrikada. Edhe atëherë jo shumë mirë. Serbët janë në barrikada sepse kërkojnë të drejta themelore të njeriut, asgjë më shumë. Serbët në Kosovë e Metohi u larguan nga institucionet sepse kërkuan që pas dhjetë vitesh të respektohet Marrëveshja e Brukselit. Në fund të fundit, ata janë në ato institucione falë Marrëveshjes së Brukselit. Kur Kurti thotë se nuk ka Marrëveshja e Brukselit për të, atëherë nuk e di cili është problemi që serbët nuk janë në institucione”, tha Brnabiq.

Ajo gjithashtu deklaroi se është thellësisht e zhgënjyer me konceptin e të drejtave që respektohet në Bruksel, Uashington, Londër...

“Vuçiq është në kontakt të përditshëm me serbët në Kosovë e Metohi dhe mund të besoj se ata kanë pasur mjaft dhe se nuk kanë besim në përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ata thjesht duan që të zbatohet marrëveshja nga viti 2013. Serbët janë në barrikada për të mbrojtur Marrëveshjen e Brukselit dhe për t'i kujtuar Brukselit për të”, tha Brnabiq.

Kryeministrja e Serbisë ka kujtuar se Albin Kurti ka thënë se nuk ka Marrëveshja e Brukselit në mes të Berlinit dhe askush nuk ka reaguar.

Ajo deklaroi se ka frikë nga përshkallëzimi, por gjithashtu tha se Serbia do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen.

E pyetur se si e vlerëson situatën e sigurisë, Brnabiq tha se situata është në prag të konfliktit.