Brnabiq: Situata në Kosovë është më serioze deri tani, Kurti dëshiron të shkaktojë luftë
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, tha se situata në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndë, duke theksuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron të shkaktojë luftë.
Brnabiq tha se është në interes të Serbisë të ruajë paqen, por edhe se nuk duhet të lejojë keqtrajtimin dhe rrezikimin e popullit të saj në Kosovë.
“Më duket se situata është më e rënda deri tani, sepse Albin Kurti nuk ka zgjidhje dhe rrugëdalje tjetër për politikën e tij, përveçse të provokojë konflikt të armatosur, pra luftë me Beogradin. Dhe në këtë kuptim, më duket se është më seriozi deri më tani, prandaj ai është më arroganti dhe më i pamaturi deri më tani, sepse ai është plotësisht i shtyrë pas murit dhe kjo është e vetmja rrugëdalje e tij”, tha Brnabiq për Euronews Serbia.
Duke kujtuar se javën e kaluar i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Emanuel Zaracin, tha se ndoshta CEFTA është e mundur pa Kosovën, Brnabiq thekson se është e pabesueshme të dëgjosh një gjë të tillë nga zoti Zaracin, i cili është një nga përkrahësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, por edhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të Albin Kurtit.
“Ka ardhur deri këtu, për të gjithë është aq e qartë se çfarë po bën Albin Kurti”, tha Brnabiq.
Ajo shtoi se lëvizjet e Prishtinës...aktakuza ndaj 45 personave për incidentin në Banjskë, arrestimi dhe rrahjen e të rinjve serbë, bllokimi e institucioneve serbe, lojërat me shkrepëse që mund të “ndezin” veriun e Kosovës.
“Ai keqtrajtim i të rinjve vetëm sepse janë të kombësisë serbe, vetëm pse janë serbë, konfiskim i pasurisë, asnjë siguri juridike, jeta e serbëve në Kosovë e Metohi ku nuk mund të marrin më as rrogë, nuk mund të blejnë mallra nga Serbia qendrore për më shumë se një vit. Absolutisht gjithçka çon në atë që Aleksandar Vuçiq foli edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe ky është një provokim i qëllimshëm dhe shkaktimi i kushteve të pamundura për jetën e serbëve në Kosovë dhe Metohi, me të cilin Albin Kurti me vetëdije po shkakton spastrim etnik dhe kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Në këtë moment ai vetëm, vetëm dhe ekskluzivisht dëshiron të provokojë një luftë”, tha Brnabiq.
Duke folur për vizitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, Brnabiq tha se jemi larg dialogut.
"Mendimi im është se ne jemi shumë larg dialogut. Dhe jo për fajin e Beogradit. Beogradi ka qenë gjithmonë i gatshëm për dialog. Beogradi ka qenë gjithmonë i gatshëm për kompromise dhe është tolerant brenda kufijve të vijave tona të kuqe. Të cilën presidenti Vuçiq e përsëriti, mendoj, ndoshta 150 herë. Por unë nuk kam parë vitet e fundit, gjegjësisht që kur ka qenë Albin Kurti në vendin e kryeministrit të rrejshëm, nuk kam parë ndonjë gatishmëri apo dëshirë të Kurtit për të marrë pjesë në atë dialog. Dhe mendoj se e kanë lejuar paksa shumë që të mos dëshirojë të marrë pjesë në dialog dhe të injorojë gjithçka që është arritur deri në kohën kur ka marrë në dorë institucionet e përkohshme në Prishtinë”, tha Brnabiq.
Ajo shtoi se çdo problem zgjidhet me dialog dhe bisedë, por “thjesht nuk funksionon më kështu”.
Sipas saj, problemi i madh është se e gjithë kjo po ndodh nën syrin vigjilent të bashkësisë ndërkombëtare, EULEX-it dhe KFOR-it. Ajo theksoi se është optimiste që kongresmenja Klaudia Teni nga radhët e republikanëve i dërgoi një letër sekretarit amerikan të shtetit Entoni Blinken, duke pyetur se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak se të drejtat e serbëve në Kosovë janë të kërcënuara.
“Është një gjë domethënëse dhe do të thosha, realisht, rezultat i përpjekjeve të Aleksandër Vuçiqit gjatë gjithë këtyre viteve për të krijuar një komunikim ndryshe me shtetin amerikan, dhe sigurisht rezultati i ministrit të jashtëm të sotëm Marko Gjuriq, në atë kohë si ambasador i Serbisë në SHBA, sepse tani kemi një grup serioz, të fuqishëm, i cili merret me këto çështje dhe që përfaqëson, nuk do të thosha, as interesat e Serbisë, por të vërtetën dhe drejtësinë”, tha Brnabiq.
0 komentet